• вторник, 09 декември 2025

Makroni kërcënon me tarifa të reja nëse Kina nuk ndryshon politikën tregtare

Makroni kërcënon me tarifa të reja nëse Kina nuk ndryshon politikën tregtare

 Paris, 7 dhjetor 2025 (MIA) - Presidenti francez Emanuel Makroni paralajmëroi kundërmasa të mundshme evropiane kundër Kinës nëse Pekini nuk e ndryshon politikën e saj tregtare.

 "Po përpiqem t'u shpjegoj kinezëve se suficiti i tyre tregtar është i paqëndrueshëm, sepse ata praktikisht po i "vrasin" blerësit e tyre, veçanërisht duke mos importuar më nga ne", deklaroi Makroni në një intervistë me të përditshmen ekonomike Les Ekos, pas një vizite treditore në atë shtet.

Ai theksoi se nëse nuk ka përgjigje, Evropa do të duhet të marrë masa të forta në muajt e ardhshëm dhe të ulë nivelin e bashkëpunimit, duke ndjekur shembullin e SHBA-së, duke përfshirë tarifa të mundshme për produktet kineze. 

 Kina është partneri më i rëndësishëm tregtar i Francës në Azi, por ekonomia franceze po përballet me një deficit të qartë, sepse importi e tejkalon shumë eksportin. Në vitin 2024, deficiti ishte mbi 46 miliardë euro.

Në kuadër  të BE-së, deficiti tregtar tejkalon 300 miliardë euro. Kërkesa e dobët kineze është një problem për kompanitë gjermane, franceze dhe të tjera evropiane, ndërsa Kina po vendos gjithnjë e më shumë produkte në tregun evropian për shkak të mosmarrëveshjes tregtare me SHBA-në. 

Kina, sipas Makronit, godet në thelb modelin evropian industrial dhe inovativ. Proteksionizmi amerikan po e përkeqëson situatën, pasi produktet kineze po ridrejtohen masivisht në Evropë. 

 Ai i bëri thirrje Kinës të rrisë konsumin e vet dhe të hapë tregun e saj të brendshëm. Ashtu si kompani si EDF dhe Erbas investuan në Kinë 25 vjet më parë, kompanitë kineze duhet të vijnë në Evropë dhe të ndërtojnë një treg, vlerësoi Makron.

 Makron gjithashtu porositi se BE duhet të rrisë konkurrueshmërinë, të thjeshtojë procedurat, të investojë në inovacion dhe të thellojë tregun e vetëm. Ai i bëri thirrje si Evropës ashtu edhe Kinës të ndalojnë praktikat agresive, të tilla si kufizimet tregtare.

 Foto: Arkivi 

 

Остани поврзан