LSM: Punëtorët kërkojnë pagë minimale prej 600 deri 700 euro
- – Punëtorët në vend vlerësojnë se paga minimale duhet të rritet prej 600 deri 700 euro, tregon anketa të cilën e zhvilloi Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë më 11 dhe 12 të këtij muaji në të cilën u anketuan 1.613 persona.
Shkup, 14 nëntor 2025 (MIA) – Punëtorët në vend vlerësojnë se paga minimale duhet të rritet prej 600 deri 700 euro, tregon anketa të cilën e zhvilloi Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë më 11 dhe 12 të këtij muaji në të cilën u anketuan 1.613 persona.
Në pyetjen “Sa duhet të jetë paga minimale”, nga numri i përgjithshëm i të anketuarve 45,2 për qind u përgjigjën se paga minimale duhet të rritet në 600 euro, 42 për qind vlerësojnë se paga minimale duhet të jetë 700 euro, ndërsa 12,8 për qind se ajo duhet të jetë 500 euro.
Pjesa më e madhe gjegjësisht 99,5 për qind e të anketuarve vlerësojnë se rritja duhet të ndodhë deri në fund të këtij viti. Nëse nuk rritet paga minimale, 52,8 për qind janë të gatshëm të protestojnë, ndërsa 47,2 për qind të hyjnë në grevë.
“Konkluzioni nga Anketa për nevojat e punëtorëve në raport me rritjen e pagës minimale në Republikën e Maqedonisë është se kërkesa për rritjen e pagës minimale nuk është dëshirë e individëve, por nevojë e punëtorëve në Maqedoni”, thonë nga LSM.
Kryeministri Mickoski deklaroi sot se paga minimale do të rritet sipas ligjit në mars, ndërsa a do të ketë rritje intervenuese do të varet nga marrëveshja ndërmjet sindikatave dhe punëdhënësve.
“E di se në nëntor do të kemi seancë të Këshillit Ekonomiko-Social dhe pres që kjo çështje të hapet aty, ashtu që ne si Qeveri do ta pranojmë çdo zgjidhje që do ta dakordojnë punëtorët dhe punëdhënësit", deklaroi Mickoski pas solemnitetit, ku u shënua 25-vjetori i Fondit për Sigurim Shëndetësor. fc/
Foto: Arkivi i MIA-s