LSDM-ja i bëri thirrje Antikorrupsionit që të veprojë për rastin e tenderit në Ministrinë e Transformimit Digjital
- LSDM-ja sot në konferencën për media i bëri thirrje Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) që të veprojë për rastin e tenderit në Ministrinë e Transformimit Digjital.

Shkup, 11 mars 2025 (MIA) - LSDM-ja sot në konferencën për media i bëri thirrje Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) që të veprojë për rastin e tenderit në Ministrinë e Transformimit Digjital.
"Të gjitha provat dhe dokumentet LSDM i ka bërë publike. Kërkojmë veprim urgjent nga KSHPK për këtë rast i cili duhet të zbardhet plotësisht. Ministri Stefan Andonovski në një konferencë për media pranoi skandalin me tenderët në ministrinë e tij. Por në vend që të marrë përgjegjësi, të kërkojë falje dhe të japë dorëheqje, ai mbrojti paturpësisht kontratat e tenderit që përfunduan te bashkëshorti i sekretares shtetërore Klinçarova", deklaroi zëdhënësja e LSDM-së Bogdanka Kuzeska para ndërtesës së KSHPK-së.
Sipas saj, kjo paraqet rast të qartë të konfliktit të interesit, nepotizmit dhe dyshimit të bazuar për korrupsion që siç thotë ajo, "janë karakteristika të VMRO-DPMNE-së".
"Ministri Andonovski nuk mund të tërhiqet duke tentuar ta relativizojë rastin dhe duke pretenduar se sekretarja shtetërore nuk ka marrë pjesë në procedurë. Sekretari shtetëror drejton të gjithë administratën në çdo ministri. Klinçarova ka qenë në hierarkinë e gjithë atyre të përfshirë në procedurën e tenderit që ka përfunduar te bashkëshorti i saj", ka thënë Kuzeska.
Ajo i bëri thirrje KSHPK-së dhe Prokurorisë publike që menjëherë të ndërmarrin hapa konkretë, pasi siç tha, “kjo nuk është vetëm për keqpërdorim të detyrës zyrtare, por edhe goditje e drejtpërdrejtë e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve”.
"Duhet të ketë pastrim të plotë të skemave korruptive të pushtetit, ndërsa ministri Andonovski të japë dorëheqje menjëherë për të mos ndikuar në procedurë. LSDM nuk do të lejojë që kjo aferë të kalojë pa sanksione. Institucionet duhet të reagojnë, ndërsa qytetarët meritojnë përgjegjësi dhe drejtësi", ka thënë Kuzeska.