Los Anxhelosi në gjendje të alarmit: Meteorologët me paralajmërime për erëra të reja të fuqishme
- Shërbimi zjarrfikës i Los Anxhelosit paralajmëron në kushte të rrezikshme kohore, që mund sërish t'i aktivizojnë zjarret në metropolin në bregun perëndimor të SHBA-së.
Los Anxhelos, 13 janar 2025 (MIA) - Shërbimi zjarrfikës i Los Anxhelosit paralajmëron në kushte të rrezikshme kohore, që mund sërish t'i aktivizojnë zjarret në metropolin në bregun perëndimor të SHBA-së.
"Kushtet e thatësisë dhe erërat e shpejta shkaktojnë rrezik të lartë nga zjarri në rajonin më të gjerë të Los Anxhelosit", tha shefi i shërbimit zjarrfikës të Los Anxhelosit, Entoni Marone.
Parashikimet e meteorologëve janë se erërat e thata nga Santa Ana, me shpejtësi prej 80 deri 112 km/orë, do të vazhdojnë sot, nesër e deri të mërkurën. Shërbimi meteorologjik kombëtar dha paralajmërim të kuq për situatë tejet të rrezikhshme. "Erërat mund të shkaktojnë që zjarret të përhapen në mënyrë të shpejtë", thuhet në kumtesë.
Shefja e zjarrfikësve të Los Anxhelosit, Kristin Krouli bëri të qartë se rreziku nuk ka përfunduar ende.
"Ende nuk dimë se në çfarë situate jemi", deklaroi ajo.
Sherifi i qarkut Los Anxhelos, Robert Luna tha se shërbimet për raste urgjente vazhdojnë me kërkimin pas personave të zhdukur në rajonet e goditura. Deri tani janë konfirmuar gjithsej 24 persona të vdekur.
Sipas policisë, deri tani në lidhje me zjarret janë arrestuar 14 persona. Të dyshuarit janë arrestuar për shkelje të orës policore, dëmtim, vandalizëm dhe vjedhje të dyqaneve.
Personat zyrtarë e paralajmëruan tërë popullsinë e qarkut të Los Anxhelosit prej pothuaj 10 milionë banorëve që të përgatiten për evakuim. Zjarrfikësit nga shtatë shtete, Kanadaja dhe Meksika kanë arritur tashmë në zonën e Los Anxhelosit për të ndihmuar stacionet zjarrfikëse në Kaliforni. bsh/