Londra, Parisi dhe Berlini dënojnë sulmin rus me Oreshnik ndaj Ukrainës
- Për udhëheqësit e Britanisë së Madhe, Francës dhe Gjermanisë, lëshimi i raketës balistike me rreze të mesme veprimi Oreshnik në Ukrainën perëndimore është një akt "përshkallëzues dhe i papranueshëm".
Londër, 9 janar 2026 (MIA) - Për udhëheqësit e Britanisë së Madhe, Francës dhe Gjermanisë, lëshimi i raketës balistike me rreze të mesme veprimi Oreshnik në Ukrainën perëndimore është një akt "përshkallëzues dhe i papranueshëm".
Kryeministri britanik Kir Starmer, kancelari gjerman Fridrih Merc dhe presidenti francez Emanuel Makron theksuan sot në një bisedë telefonike se sulmet "e vazhdueshme" të Rusisë, "përfshirë përdorimin e një rakete balistike me rreze të mesme veprimi Oreshnik kundër Ukrainës perëndimore", përbëjnë një "përshkallëzim dhe janë të papranueshme".
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha më parë se sulmi u krye në përgjigje të "sulmit terrorist" të Ukrainës ndaj rezidencës së presidentit rus Vladimir Putin më 29 dhjetor të vitit të kaluar.
Ukraina mohoi sulmin ndaj rezidencës së Putinit dhe akuzoi Moskën se përdori një pretendim të rremë për të justifikuar sulmet ndaj ndërtesave qeveritare në Kiev.
Rusia qëlloi për herë të parë një raketë Oreshnik në qytetin industrial Dnjepar në nëntor të vitit 2024.
Putini pretendon se sistemet perëndimore të mbrojtjes ajrore nuk janë në gjendje të kapin raketën Oreshnik, e cila mund të godasë objektiva në Evropën Perëndimore.
Oreshnik gjithashtu mund të mbajë një kokë bërthamore. sa/
foto: DPA arkivi