• сабота, 22 февруари 2025

Ligji i ri për arsimin e lartë parashikon reforma të Agjencisë për cilësinë në arsimin e lartë

Ligji i ri për arsimin e lartë parashikon reforma të Agjencisë për cilësinë në arsimin e lartë

Shkup, 19 shkurt 2025 (MIA) - Ligji i ri për arsimin e lartë për të cilin jemi duke punuar parasheh një reformë të Agjencisë për cilësi në arsimin e lartë (ACAL), me të cilin presim që institucioni të bëhet funksional, tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska në konferencën e sotme për media.

"Më vjen keq që duhet ta them, por fakti është se puna e Bordit të Akreditimit, ose më saktë Agjencia për Cilësinë në Arsimin e Lartë, nuk i plotëson nevojat e një sistemi arsimor relativisht të dobët dhe problemet që ekzistojnë në arsimin e lartë. Presim një drejtor të ri të Agjencisë për Cilësinë e Arsimit të Lartë, pasi i vjetri u shkarkua nga Kuvendi. Kuvendi do të shpallë konkurs, do të ketë një drejtor të ri. Por, ligji i ri për arsimin e lartë që po punojmë, parasheh një reformë të këtij institucioni, me të cilin presim që institucioni të funksionalizohet dhe të përmbushë funksionet që duhet t'i kryejë", theksoi Janevska.

Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetareje se pse disa studime nuk po akreditohen edhe pse ka interes për to, ajo tha se nuk mund të thotë se pse ka pasur pengesa të këtij lloji deri më tani.

"Këtë pyetje duhet t'ia drejtoni Bordit, Drejtorit të Agjencisë dhe anëtarëve të Bordit të Akreditimit dhe Vlerësimit. Asnjë vlerësim nuk është bërë që nga ekzistenca e Agjencisë, për fat të keq. Ne kemi dashur ta bëjmë vitin e kaluar, kemi ndarë mjete, por nuk arritëm për shkak të problemeve të brendshme të Agjencisë", sqaroi ministrja Janevska.

Ajo shfaqi shpresë se me udhëheqësinë e re do të fillojë bashkëpunimi që të mund të vendosen programe të reja studimore, disa të pezullohen, ndërsa një pjesë të ndërpriten.

"Kjo duhet të zgjidhet me ligjin e ri për arsimin e lartë, në mënyrë që studentët të marrin atë që u nevojitet për tregun e punës", ishte e vendosur Janevska.

Ajo informoi edhe se si Ministri, vazhdojnë të punojnë në zgjidhjen e konceptit për gjimnazin. Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve, kumtoi se me vendimin e djeshëm të Qeverisë, në shumë shkolla do të vendosen pastrues të ajrit.

E pyetur në lidhje me asistentët arsimor në shkollat e mesme, ajo tha se do të bëjnë përpjekje të sigurojnë për nxënësit të cilët do të kenë nevojë për to.

"Ligji ka kaluar dje në qeveri dhe do të hyjë në procedurë parlamentare. Shpresoj që këtë herë të shkojë ashtu siç duhet. Ligji i mëparshëm nuk parashikonte asistentë arsimorë në shkollat ​​e mesme. Ky ligj parashikon edhe ndihmës arsimorë në shkollat ​​e mesme. E sigurt është se nga shtatori i këtij viti do të kenë asistentë arsimor dhe pikërisht tani nëse ka nevojë serioze dhe pozitë të paplotësuar për asistent, do të bëjmë çmos që të sigurojmë një të tillë për këta nxënës", u përgjigj Janevska. sa/

Foto dhe video: MIA

Остани поврзан