Liderët evropianë për mundësinë e dërgimit të paqeruajtësve në Ukrainë
- Liderët evropianë sot në Paris u mblodhën në një samit të jashtëzakonshëm për të biseduar për rolin e tyre në të ardhmen e Ukrainës, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan se do të zhvillojnë bisedime me Rusinë në përpjekje për t'i dhënë fund luftës trevjeçare.

Paris, 17 shkurt 2025 (MIA) - Liderët evropianë sot në Paris u mblodhën në një samit të jashtëzakonshëm për të biseduar për rolin e tyre në të ardhmen e Ukrainës, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan se do të zhvillojnë bisedime me Rusinë në përpjekje për t'i dhënë fund luftës trevjeçare.
Liderët para takimit u prononcuan për mundësinë për dërgimin e paqeruajtësve në Ukrainë, transmeton BTA.
Kryeministri britanik Kir Starmer deklaroi se është i gatshëm të dërgojë ushtarë britanikë në Ukrainë për të qenë pjesë e një force të mundshme paqeruajtëse pas përfundimit të luftës. "Po përballemi me një provë që ndodh një herë në gjeneratë kur bëhet fjalë për sigurinë kombëtare", tha Starmeri.
"Mendoj se këtu ka një element më domethënës, që është se kjo nuk ka të bëjë vetëm me vijën e parë në Ukrainë. Bëhet fjalë për vijën e parë të Evropës dhe Britanisë. Kjo ka të bëjë me sigurinë tonë kombëtare dhe unë mendoj se duhet të bëjmë më shumë", shtoi ai.
Duke u përgjigjur në pyetjen nëse ushtarët gjermanë do të vendosen si pjesë e një misioni të mundshëm paqeruajtës të ardhshëm në Ukrainë, kancelari Olaf Sholci e theksoi rëndësinë e një armata të fortë ukrainase.
"Kjo do të jetë një detyrë e madhe për Evropën, për SHBA-në dhe për partnerët ndërkombëtarë të Aleancës sonë", tha Sholci, duke shtuar se çështjet e ardhshme rreth strukturës së sigurisë do të merren parasysh kur të vijë koha.
Kryeministri polak Donald Tusk tha se "Polonia do të mbështesë Ukrainën, si edhe deri më tani - organizativisht, në përputhje me mundësitë financiare, në drejtim të ndihmës humanitare dhe ushtarake".
"Ne nuk parashikojmë dërgimin e ushtarëve polakë në territorin e Ukrainës. Do të ofrojmë mbështetje logjistike dhe politike për vendet që mund të dëshirojnë të ofrojnë garanci të ngjashme në të ardhmen", shtoi ai.
Kryeministri suedez Ulf Kristerson beson se "nevojitet të ketë një mandat shumë të qartë për këto forca. "Mendoj se nuk mundemi ta shohim këtë derisa të vazhdojmë përpara me këto negociata. Ne zakonisht jemi pjesë e forcimit të sigurisë në pjesën tonë të botës, kështu që parashikoj se do të jemi pjesë e kësaj edhe këtë herë", shtoi ai.
"Duhet të rrisim mbështetjen ushtarake për Ukrainën, duhet të prodhojmë më shumë dhe duhet ta bëjmë më shpejt. Ndërsa. pastaj duhet të heqim kufizimet në përdorimin e armëve për ukrainasit, në mënyrë që ata të mund të mbrohen kundër rusëve pa u përdredhur një krah pas shpine", deklaroi kryeministrja daneze Mete Frederikseni.
Kryeministri holandez Dik Shofi për gazetarët në Konferencën e Sigurisë në Mynih deklaroi se "duhet të ketë një plan të fortë, sepse Holanda nuk do t'i bashkohet asnjë nisme nëse nuk ka një mision të qartë".
"Duhet të ketë plan edhe për hapat e ardhshëm, sipas të cilit SHBA-ja duhet të ruajnë gatishmërinë dhe të jenë të gatshme për të vepruar", tha Shofi.
Ministri spanjoll i Punëve të Jashtme Hoze Manuel Albarez tha se është "shumë herët në këtë moment të flitet për vendosjen e forcave paqeruajtëse në Ukrainë, sepse në këtë fazë nuk ka paqe".
"Sot jam i bindur se Putini do të vazhdojë të sulmojë dhe bombardojë Ukrainën. Kështu që tani nuk shoh paqe në horizont", shtoi ai.