• среда, 25 декември 2024

Legjislacioni ynë ka paraparë gjithçka që është e nevojshme për personat në listën e zezë të SHBA-së, tha Mickoski

Legjislacioni ynë ka paraparë gjithçka që është e nevojshme për personat në listën e zezë të SHBA-së, tha Mickoski

Shkup, 24 dhjetor 2024 (MIA) - Qeveria nuk do të ndërmarrë hapa në kundërshtim me Kushtetutën, por gjithmonë do të punojë në drejtim të normave pozitive juridike dhe Kushtetutës, të cilat janë dy shtylla kyçe për ne, theksoi kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve se a do të miratojnë një ligj për masat kufizuese për njerëzit që janë në listën e zezë të SHBA.

Mickoski, i cili ishte në vënien e gurthemelit të një sallë sportive në Creshevë, tha se legjislacioni ka paraparë gjithçka që është e nevojshme për personat që janë pjesë e listës së zezë të SHBA-së.

"Ajo që është konstatuar nga vendimi i SHBA-së, ndërsa që gjendet në listën e sanksioneve ku përfshihen këta emra, përkatësisht një gjyqtar nga Gjykata e Apelit dhe një ish-pjesëtar i qeverisë është praktikisht pjesë e dyshimit të bazuar të prokurorië. Mendoj se kemi mjaft procedura cilësore brenda sistemit për ta përfunduar këtë. Nuk do të ndërmarrim kurrë hapa që do të jenë në kundërshtim me Kushtetutën sepse kjo nuk ishte arsyeja pse qytetarët na votuan", theksoi Mickoski.

Lidhur me spekulimet se ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi, për të cilin gjykata caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditëve, mund të merrë azil politik në një vend fqinj, mes të cilit figuron Shqipëria, kryeministri sqaroi se personi është në listën e zezë të SHBA-së për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e një krimi, e jo për arsye politike.

"Personi është në listën e sanksioneve të SHBA-së dhe arsyet pse ndodhet aty janë të shprehura qartë, për shkak të dyshimit të bazuar për një krim të kryer. Për shkak të atij dyshimi të bazuar për vepër penale, prokuroria ka nisur hetimet, ndërsa gjykata siç jam informuar, ka caktuar masën e kujdesit, përkatësisht paraburgim në kohëzgjatje prej 30 ditësh. Pra, këtu nuk bëhet fjalë për arsye politike, por padyshim që ka diçka ndryshe nga politika, gjegjësisht se ekziston dyshimi i bazuar për një krim të kryer. Kështu që nuk pres që kjo do të ndodhë, por gjithsesi është vendim i atyre që do të hynin në një procedurë të tillë. Këtu unë nuk mund të shtojë apo të heqë asgjë", theksoi Mickoski. ls/

ФОТО: МИА Архива 

Остани поврзан