• среда, 25 декември 2024

Votohet buxheti i Qytetit të Shkupit për vitin 2025

Votohet buxheti i Qytetit të Shkupit për vitin 2025

Shkup, 24 dhjetor 2024 (MIA) - Me 28 vota "pro" dhe dy "kundër", Këshilli i Qytetit të Shkupit në seancën e sotme miratoi buxhetin e Qytetit të Shkupit për vitin 2025.

Për Propozim-buxhetin janë dorëzuar 42 amendamente nga disa parti politike, dhe pas koordinimit të grupeve këshilldhënëse me kryetarin e Këshillit Trajko Sllaveski dhe kryetaren Danela Arsovska, disa nga amendamentet janë tërhequr në mënyrë të pavarur nga propozuesit, ndërsa disa u refuzuan për shkak të parregullsive teknike.

Buxheti i propozuar i Qytetit të Shkupit është 140 milionë euro.

Në seancë u miratua Plani i Programeve Zhvillimore për  vitin 2025 - 2027. Ky plan, siç shpjegoi Juliana Tasiq nga departamenti i financave të qytetit, paraqet një pamje afatmesme të programeve që janë të destinuara për zhvillimin e investimeve për periudhën e theksuar.

"Është një pasqyrë e projeksioneve afatmesme të fondeve të miratuara në buxhet sipas nënprogrameve dhe viteve të veçanta buxhetore, si dhe burimeve të financimit të tyre. Është përgatitur në përputhje me udhëzimet e Ministrisë së Financave dhe në përputhje me propozimet e marra nga sektorët dhe përmban të gjitha projektet kapitale që synojnë përmirësimin e infrastrukturës, ndërtimin dhe rindërtimin e rrugëve dhe objekteve të infrastrukturës dhe të gjitha projektet e tjera kapitale ku investimi mbulon një periudhë më të gjatë se një vit. Plani i propozuar i programeve zhvillimore bëhet pjesë përbërëse e buxhetit të Qytetit të Shkupit dhe në këtë plan do të pasqyrohen të gjitha ndryshimet e parapara në buxhet", thotë Tasiq.

Në seancë është miratuar edhe vendimi për zbatimin e Buxhetit të Qytetit të Shkupit për vitin 2025.

Në rendin e ditës për seancën e sotme të Këshillit ka rreth 40 pika. Ndër më të fundit në rend dite është edhe pika me të cilën kërkohet çmimi për çdo kilometër të kaluar të transportuesve privatë që të rritet për 20 denarë. sa/

Foto: printskrin nga video

 

Остани поврзан