• петок, 05 декември 2025

Këshilli i Komunës së Tetovës zgjodhi kryetar - Jusuf Abdulin nga koalicioni "VLEN"

Këshilli i Komunës së Tetovës zgjodhi kryetar - Jusuf Abdulin nga koalicioni

Tetovë, 21 nëntor 2025 (MIA) – Në seancën konstituive të Këshillit të Komunës së Tetovës me këshilltarët e porsazgjedhur kryetar u zgjodh Jusuf Abduli. Në këtë mbledhje, kryesimin e së cilës e filloi këshilltari më i moshuar, Branisllav Svetozareviq, zgjedhja e Abdulit u votua me gjithsej 16 vota, përderisa 11 ishin kundër dhe një këshilltar votoi i përmbajtur. Për Abdulin votuan 13 këshilltarë të koalicionit “VLEN” dhe tre nga VMRO-DPMNE. 

“Si kryetar i Këshillit të Komunës Tetovë mund tu them vetëm se do të jemi bashkëpunëtorë me të gjithë ata që duan të punojnë për më të mirën e Tetovës dhe të qytetarëve të komunës Tetovë”, deklaroi Jusuf Abduli. 

Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami është i bindur se me këtë përbërje të Këshillit të Komunës Tetovë do të ketë bashkëpunim të shkëlqyer. 

“Do të vazhdojmë me realizimin e projekteve në shërbim të të gjithë qytetarëve të Tetovës. Projekte të cilat janë në fushën e arsimit, kulturës, infrastrukturës së mbrojtjes sociale dhe të gjitha fushave që janë brenda sferës së kompetencës së vetëqeverisjes lokale. Do të jem në shërbim të vendimeve të Këshillit që do të jenë në drejtim të realizimit të asaj që u premtua në zgjedhjet e fundit lokale, me qëllim që Tetova pas katër viteve të jetë një komunë më e mirë dhe një qytet më i mirë për të jetuar”, tha Kasami.

Ai njëherësh informoi se si kryetar i komunës ka marrë vendim me të cilin emëron zëvendës të tij nga anëtarët e Këshillit, ndërsa ai është këshilltari Albi Qamili, i cili ishte bartës liste i kandidatëve për këshilltarë të koalicionit “VLEN”.

Derisa zhvillohej mbledhja konstituive, Agron Arifi nga “Më e mira për Tetovën” vlerësoi se për zgjedhjen e kryetarit të ri duhet të ketë debat. 

“Kryetari i Këshillit u zgjodh pa asnjë debat, gjë që mendoj se është në kundërshtim me Rregulloren e Punës së Këshillit dhe kjo na ktheu në epokën para demokracisë. Kjo është një tjetër dëshmi se Këshilli në Tetovë do të funksionojë vetëm si një makinë votimi. Një gjë tjetër është se kryetari i zgjedhur i Këshillit është person i përfshirë drejtpërdrejt në partizimin e arsimit. Ne si qytetarë menduam se pazarllëqet ishin midis VLEN dhe VMRO, tani në fund doli që pazarllëqet ishin vetëm midis VLEN brenda. Sa herë që vjen koha për të mbledhur vota, ata bashkohen, megjithatë, kur bëhet fjalë për ndarjen e pozicioneve, atëherë shpërndahen dhe shohim se një bartësi liste i është dhënë një funksion që nuk ekziston në legjislacion - nënkryetar i komunës, por një person nga një parti tjetër, jo nga partia e Kasamit, u zgjodh sot kryetar i këshillit”, tha Agron Arifi.

Këshilltari i partisë E majta, Bobi Ilievski para leximit të deklaratave solemne të këshilltarëve të rinj kërkoi që akti me shkrim nga Komuna të botohet pa mbiemrin E veriut në emrin e shtetit. Nga shërbimi juridik i Komunës së Tetovës u përgjigjën se në Statutin e Komunës Tetovë nga viti 2019 është vendosur emrin i ri kushtetues i shtetit. 

Kryetari i Këshillit të Komunës Tetovë, Jusuf Abduli ka 38 vjet dhe është profesor i Arsimit Fizik në Akademinë e Sporteve në Tetovë. fc/

Foto: MIA

 

Остани поврзан