• сабота, 06 декември 2025

KSHZ-ja ua hoqi akreditimet tetë vëzhguesve vendas për shkak të agjitimit para një vendvotimi

KSHZ-ja ua hoqi akreditimet tetë vëzhguesve vendas për shkak të agjitimit para një vendvotimi

Shkup, 2 nëntor 2025 (MIA) - Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve sot, në kuadër të seancës së 151-të diskutoi për dy ankesa në lidhje me ushtrimin e të drejtës së votës, me ç'rast  në të dyja rastet vërtetoi se personat janë të regjistruar në Listën zgjedhore dhe mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre deri në orën 19:00, dhe miratoi vendim për heqjen e akreditimeve të tetë vëzhguesve vendas për shkak të veprimit në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe Kodin për Vëzhgim.

Një ankesë është paraqitur nga personi Trajçe Kamçev nga Komuna Qendër dhe siç u theksua në seancë, pas kontrollit nga shërbimi profesional, është vërtetuar se personi është i regjistruar në Listën zgjedhore në vendvotimin 1354 në Komunë, për këtë arsye ankesa është refuzuar.

"Ky person është i regjistruar në Listën zgjedhore në vendvotimin 1354 në komunën Qendër dhe mund ta ushtrojë lirisht të drejtën e tij të votës", deklaroi kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko.

Anëtarët e KSHZ-së diskutuan edhe një ankesë, të marrë nëpërmjet adresës elektronike nga personi Qemal Ismailoski nga Kërçova, i cili ankohet se nuk është gjetur në pajisjen e identifikimit biometrik. Ankesa, përveç KSHZ-së, është dërguar edhe te Avokati i Popullit dhe te Prokuroria Shtetërore. Kondarko theksoi se pas kontrollit të shërbimit të ekspertëve dhe sektorit të IT-së, është përcaktuar se personi është regjistruar në Listën e Zgjedhësve dhe në pajisjen e identifikimit biometrik.

Anëtari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski kërkoi që të mos deklarohen fare për këtë ankesë, sepse ajo është dorëzuar nga një adresë elektronike që nuk është nga një person i autorizuar dhe mund të mos jetë personalisht nga ankuesi, dhe është dorëzuar edhe te Avokati i Popullit dhe Prokuroria, dhe për këtë arsye, sipas tij, KSHZ-ja nuk duhet të vendosë fare, por Prokuroria duhet të përcaktojë nëse ankesa është nga ai person apo nëse janë keqpërdorur të dhënat personale.

Kondarko theksoi se Prokuroria e ka këtë email dhe mund të hetojë rrethanat e mbetura, të cilat nuk lidhen me këtë të drejtë vote, dhe se KSHZ-ja është përgjegjëse për të drejtën për të votuar. 

Ai theksoi gjithashtu se deri më tani, në asnjë vendvotim nuk është vërejtur asnjë ndërprerje e ushtrimit të së drejtës së votës.

KSHZ-ja vendosi gjithashtu t’ua heqë akreditimet për vëzhgim tetë personave. Bëhet fjalë për vëzhgues vendas në Komunën Shuto Orizare, për të cilët KSHZ-ja gjatë ditës mori një raport për keqpërdorim të bexhave për vëzhguesivendas, përkatësisht për agjitim në një shkollë para vendvotimeve.

"Janë regjistruar personat e mëposhtëm: Elvis Bajram, kandidat për kryetar komune nga Unioni i Romëve në raundin e parë, Seat Ismail, kandidat për këshilltar në Shuto Orizare, Valentina Bajram, motra e Elvisit, Shaban Bajram, Gabriel Bajram, Reshad Sokol, kandidat për këshilltar në Komunën e Shuto Orizare, Kamuran Reunared, Almir Sali, kandidat për këshilltar në Komunën e Shuto Orizare.s KSHZ-ja u dha akreditime për vëzhgim këtyre personave, sipas të dhënave që na u dorëzuan, dhe ne arritëm në përfundimin se këta persona e kanë tejkaluar Kodin e Vëzhgimit për personat që duhet të veprojnë në mënyrë të paanshme në vendvotimet dhe kanë bërë agjitim në vendvotime", deklaroi Kondarko.

Ai theksoi se KSHZ-ja e njoftoi MPB-në për këtë ngjarje, sepse ata po agjitonin jashtë vendvotimit, ku KSHZ-ja nuk është kompetente. Pas heqjes, shtoi Kondarko, ata do ta njoftojnë Komisionin Komunal Zgjedhor në Shuto Orizare dhe këshillat zgjedhore që të mos lejojnë hyrjen e këtyre personave në vendvotimet dhe në objektet e votimit, përkatësisht se nuk duhet t'i referohen akreditimeve dhe bexhave që u janë dhënë më parë nga KSHZ-ja.

Seancën e radhës KSHZ-ja do të mbajë në orën 15:30, ku do të japë informacione për daljen e votuesve. ls/ 

 

Остани поврзан