Kryetari i Kuvendit Gashi ka marrë kërcënim për jetë me postë elektronike zyrtare, MPB heton se nga ka ardhur
- Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi në emailin zyrtar mori mesazh elektronik me përmbajtje kërcënuese, konfirmuan nga Kabineti i tij. Kërcënimin që e mori Gashi në postën elektronike është raportuar edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Shkup, 18 shkurt 2025 (MIA) - Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi në emailin zyrtar mori mesazh elektronik me përmbajtje kërcënuese, konfirmuan nga Kabineti i tij. Kërcënimin që e mori Gashi në postën elektronike është raportuar edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Nga atje për MIA-n informojnë se në Sektorin për Krim Kompjuterik pranë MPB-së ka denoncim për një rast të tillë dhe për të njëjtën veprohet në mënyrë adekuate, pa u theksuar detajet për përmbajtjen e kërcënimit.
Mediat raportuan pasditen e sotme se kryetari i Kuvendit ka marrë një email me përmbajtje kërcënuese në lidhje me ndryshimet kushtetuese dhe përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë.
Gashi, siç theksohet, këtë mesazh e ka marrë pas intervistës së mbrëmshme në emisionin "360 gradë" ku tha se pas zgjedhjes së qeverisë së re në Bullgari mund të afrohet një zgjidhje e kontestit, por asnjë sukses i madh në bisedime nuk mund të pritet menjëherë.
"Duke e parë këtë problem nga prizmi i interesit të përbashkët të të dy vendeve dhe të dy popujve, maqedonas dhe bullgar, në aspektin e sigurisë rajonale, mendoj se është në interesin tonë të përbashkët t'i qasemi zgjidhjes së këtij konteksti. Gjegjësisht, duhet të hiqet vetoja bullgare për hapjen e negociatave të vendit tonë me BE-në. Mendoj se Bullgaria nuk po humb asgjë, përkundrazi jam i bindur se ata fitojnë, por duhet të presim pak që të ulet tensioni, të zhvillohen diskutime në tryezë me argumente. Le ta kuptojnë kontekstin tonë. Dhe mendoj se nëse SHBA-ja dhe Brukseli ndihmojnë pak, jam i bindur se na duhet edhe pak kohë për ta zgjidhur këtë nyjë", tha Gashi. sa/
Foto: Arkivi i MIA-s