Kryeministri Mickoski do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih
- Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, së bashku me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë Timço Mucunski, ministrin e Mbrojtjes Vllado Misajlëovski, ministrin e Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski dhe ministrin për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani prej sot dhe ditët në vijim do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë së Republikës Federale të Gjermanisë në Mynih.

Shkup, 14 shkurt 2025 (MIA) - Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, së bashku me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë Timço Mucunski, ministrin e Mbrojtjes Vllado Misajlëovski, ministrin e Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski dhe ministrin për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani prej sot dhe ditët në vijim do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë së Republikës Federale të Gjermanisë në Mynih.
Në Konferencën e 61-të të Mynihut, që zhvillohet nga 14 deri më 16 shkurt, do të mundësohet një dialog i nivelit të lartë mbi sfidat kryesore të jashtme dhe të sigurisë që janë çështje aktuale për liderët politikë.
Në konferencë do të marrin pjesë presidenti ukrainas Volodimir Zelenski, nënpresidenti amerikan Xhej Di Vans dhe sekretari i shtetit Marko Rubio.
Siç paralajmëruan sot nga pres shërbimi i qeverisë, gjatë konferencës, kryeministri Mickoski pritet të takohet me kryetarin e Këshillit Evropian, Antonio Koshta, me kryesuesin e Konferencës së Mynihut, ambasadorin Kristof Hojgens, me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviq, si dhe me liderë të tjerë politikë.
"Kryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Mickoski, do të jetë folës dhe do të marrë pjesë në ngjarjen finale të përmbylljes së konferencës kushtuar negociatave për anëtarësim në BE në Ballkanin Perëndimor, si dhe në panel diskutimin e Forin Polisit, ku do të flasë për gjeopolitikën, sigurinë energjetike dhe rolin në ndryshimet në nivel global. Mickoski do ta shfrytëzojë rastin që të lobojë dhe të prezantojë pasqyrën reale të negociatave për anëtarësim të vendit nga perspektiva evropiane, si dhe planin për zhvillim dhe arritje ekonomike si pjesë e përpjekjeve për përparim ekonomik dhe siguri të qytetarëve", shtohet në kumtesën e qeverisë.
Foto: Arkivi i MIA-s