Koçinski: Kulmi i virusit të gripit në fund të muajit deri në mesin e shkurtit, nuk ka zgjatje të pushimit dimëror
- Nga 5 deri më 11 janar janë regjistruar 2.322 raste të gripit, që është për 34,6 për qind më shumë se javën e kaluar. Ka aktivitet mesatar të virusit të gripit në nivel kombëtar. Ka një numër të rritur të të sëmurëve, por kjo pritet për këtë periudhë të vitit. Presim që numrat edhe në periudhën e ardhshme të rriten dhe të lëvizin në këtë rang. Kulmi i gripit pritet në fund të muajit deri në mesin e shkurtit. Këtë sezon, rritja e numrit të të sëmurëve filloi disa javë më herët se sa pritej, deklaroi sot udhëheqësi i Departamentit të Epidemiologjisë së Sëmundjeve Infektive pranë Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), Dr. Dragan Koçinski.
Shkup, 15 janar 2026 (MIA) - Nga 5 deri më 11 janar janë regjistruar 2.322 raste të gripit, që është për 34,6 për qind më shumë se javën e kaluar. Ka aktivitet mesatar të virusit të gripit në nivel kombëtar. Ka një numër të rritur të të sëmurëve, por kjo pritet për këtë periudhë të vitit. Presim që numrat edhe në periudhën e ardhshme të rriten dhe të lëvizin në këtë rang. Kulmi i gripit pritet në fund të muajit deri në mesin e shkurtit. Këtë sezon, rritja e numrit të të sëmurëve filloi disa javë më herët se sa pritej, deklaroi sot udhëheqësi i Departamentit të Epidemiologjisë së Sëmundjeve Infektive pranë Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), Dr. Dragan Koçinski.
Ai tha se duke qenë se ka aktivitet mesatar të gripit, kjo aktualisht nuk lejon të marrim masa të tepërta që do të preknin qytetarët, siç është zgjatja e pushimit dimëror.
"Nëse ka ndonjë ndryshim, do të apelojmë dhe do të ofrojmë masa përkatëse. Vërehet se ka një rritje të numrit të personave të shtruar në spital, si të rritur ashtu edhe fëmijë, dhe kjo pritet për këtë periudhë të vitit, dhe kapacitetet spitalore nuk janë të mbushura plotësisht. Komisioni për Sëmundje Infektive u mblodh dje dhe do të dalë me rekomandime përkatëse. Rekomandohet që vizitorët të mbajnë maska kur vizitojnë një spital, nëse kjo nuk është e ndaluar - tha dr. Koçinski.
Ai theksoi se në krahasim me të njëjtën javë të sezonit të kaluar, është regjistruar rritje e numrit të të sëmurëve për 2,2 herë, ndërsa nëse krahasohet me mesataren nga 15 sezonet e fundit, ka rritje prej 39,1 për qind.
"Gjatë kësaj javë ka një nivel të aktivitetit mesatar të virusit të gripit. Numri më i madh i të sëmurëve,1.378 janë të moshës nga 15 deri 64 vjeç, ndërsa incidenca më e larte është regjistruar tek fëmijët e moshës deri katër vjeç dhe nga pesë deri 14 vjeç. Janë regjistruar persona të sëmurë në 25 nga 31 rajone në vend. Numri më i madh, 556 është regjistruar në Shkup, pasataj vijojnë Tetova - 308, Kumanova - 266, Ohri -202 etj. Në pesë qendra rajonale ka aktivitet shumë të lartë të gripit, përkatësisht në Dibër, Ohër, Makedonski Brod, Kavadar dhe Negotinë, në katër ka aktivitet të lartë, aktivitet të mesëm ka në gjashtë qendra të shëndetit publik, ndërsa në shtatë vërehet aktivitet sezonat i gripit - tha dr. Koçinski.
Siç u informua dje, theksoi ai, gjatë javës së dytë është raportuar një rast vdekje i lidhur me gripin.
"Bëhet fjalë për një grua 75-vjeçare nga Shkupi, e cila ishte e hospitalizuar në Klinikën për Sëmundje Infektive. Tek ajo ishte të regjistruara sëmundje shoqëruese, nuk ishte vaksinuar kundër gripit sezonal, ndërsa në laborator ishte konfirmuar prania e influenzës A - tha Dr. Kocinski.
Ai thekson se në laboratorin e ISHP-së gjatë javës së dytë, nga 99 materiale të pranuara, 26 rezultuan pozitive për praninë e gripit, e gjithashtu kemi zbuluar shtatë raste të virusit respirator sincicial dhe një rast të Kovid-19.
"Deri më tani gjatë sezonit nga fillimi i tetorit deri më 11 janar, ka pasur 6.147 raste të gripit. Krahasuar me të njëjtën periudhë të sezonit të kaluar, ka pasur një rritje për 2,6 herë, kurse krahasuar me mesataren ka një rritje prej 27 për qind. Vetëm në Berovë, Dellçevë dhe Pehçevë nuk ka pasur raste të regjistruara të gripit. Kumulativisht deri më tani, nga 515 materiale të pranuara në ISHP për testim, 65 janë pozitive për gripin, të gjitha janë me influenzë A, ndërsa dominon influenza AH3, përkatësisht 66 për qind e pozitivëve. Ka gjashtë pozitivë me Kovid-19 dhe 21 pozitivë në virusin respirator sincicial - tha dr. Koçinski.
Duke iu referuar masave të përgjithshme, sqaroi se rekomandohet të shmangen hapësirat me numër të madh njerëzish, veçanërisht nëse midis tyre ka nga ata që kanë simptoma të sëmundjeve respiratore, kollë, teshtimë dhe ethe.
"Të ajrosen hapësirat, të ngrohen, të pihen vitamina, minerale, lëngje të shtrydhura, gjithçka që mund të përmirësojë imunitetin. Në rast gripi ose sëmundjeje tjetër akute infektive me simptoma respiratore, duhet të qëndrohet në shtëpi. Fëmijët që kanë simptoma të sëmundje nuk duhet të çohen në çerdhe dhe shkollë. Nëse simptomat nuk qetësohen ose përkeqësohen, fëmijët duhet të çohen te mjeku i tyre amë ose infektologu për ndihmë mjekësore. Masa më e mirë për parandalim është vaksinimi kundër gripit. Në Maqedoni këtë sezon, ka pak më shumë se 79.000 njerëz të vaksinuar kundër gripit - shtoi dr. Koçinski. ls/
Foto: MIA