Koshta dhe Fon der Lajen në një turne dy ditor në Lindjen e Mesme
- Kryetari i Këshillit Evropian Antonio Koshta dhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen sot dhe nesër do të qëndrojnë në një turne në Lindjen e Mesme, në kuadër të së cilës do t'i vizitojnë Jordanin, Sirinë dhe Libanin.
Bruksel, 8 janar 2026 (MIA) - Kryetari i Këshillit Evropian Antonio Koshta dhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen sot dhe nesër do të qëndrojnë në një turne në Lindjen e Mesme, në kuadër të së cilës do t'i vizitojnë Jordanin, Sirinë dhe Libanin.
Turneu vjen pasi në nëntor të vitit të kaluar BE-ja e miratoi Paktin për Mesdheun, me të cilin promovohet bashkëpunimi, prosperiteti dhe stabiliteti i përhershëm në rajon.
Koshta dhe Fon der Lajen sot në Aman do të takohen me mbretin jordanez Abdullah i Dytë, pastaj të gjithë së bashku do të marrin pjesë në Samitin e parë BE-Jordani.
Sipas njoftimit, Koshta dhe Fon der Lajen do të diskutojnë sfidat aktuale globale me nikoqirin e tyre jordanez, duke përfshirë situatën në Lindjen e Mesme, Ukrainën, sigurinë, tregtinë dhe migracionin.
Samiti, sërish, do të përqendrohet në marrëdhëniet dypalëshe dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit politik dhe ekonomik, siç përcaktohet në Marrëveshjen e Partneritetit Strategjik dhe Gjithëpërfshirës midis BE-së dhe Jordanisë, të përfunduar në janar të vitit 2025.
Nga Amani, Koshta dhe Fon der Lajen do të udhëtojnë për në Damask, ku nesër do të takohen me presidentin sirian Ahmed al-Shara.
Temat kryesore të takimit pritet të jenë tranzicioni i mëtejshëm demokratik i Sirisë, me përfshirjen e përfaqësuesve të të gjitha bashkësive kombëtare dhe fetare, si dhe roli i BE-së në rindërtimin e vendit, si nga perspektiva institucionale ashtu edhe nga ajo financiare.
Kjo është vizita e parë e udhëheqësve të BE-së në Damask që nga rënia e regjimit të Bashar al Asadit në dhjetor të vitit 2024 dhe vjen pasi Unioni hoqi sanksionet ekonomike ndaj Sirisë në maj të vitit të kaluar dhe konfirmoi angazhimin e tij për rimëkëmbjen, rindërtimin dhe ruajtjen e paqes në vend.
Pas Sirisë, Koshta dhe Fon der Lajen do ta vizitojnë Libanin nesër, ku do të takohen me presidentin libanez Zhozef Aun në Bejrut. Takimi pritet të përdoret për të forcuar më tej partneritetin midis BE-së dhe Libanit, me fokus në prosperitet, siguri dhe stabilitet. sa/
Foto: MIA Arkivi