Konstituohet Këshilli i ri i Komunës së Gostivarit, pasdite edhe seanca e parë punuese
- Pasi u janë verifikuar mandatet e këshilltarëve të zgjedhur dhe me dhënien e deklaratës solemne, u konstituua Këshilli i ri i Komunës së Gostivarit. Për kryetar është zgjedhur Valdet Xhaferi, i cili vjen nga radhët e koalicionit Aleanca Kombëtare për Integrim.
Gostivar, 14 nëntor 2025 (MIA) - Pasi u janë verifikuar mandatet e këshilltarëve të zgjedhur dhe me dhënien e deklaratës solemne, u konstituua Këshilli i ri i Komunës së Gostivarit. Për kryetar është zgjedhur Valdet Xhaferi, i cili vjen nga radhët e koalicionit Aleanca Kombëtare për Integrim.
Ai në deklaratë pas zgjedhjes tha se do ta ketë përkrahjen e anëtarëve të tjerë të Këshillit dhe se, siç tha, pa marrë parasysh përkatësinë politike dhe etnike, do të punojnë së bashku në interes të qytetit dhe qytetarëve.
Pas zgjedhjeve të fundit lokale, numri i anëtarëve të Këshillit të Gostivarit u zvogëlua për tetë, respektivisht prej 31 në 23 këshilltarë.

Mes urimeve të para për zgjedhjen dhe konstituimin e Këshillit erdhën nga u.d. kryetari i komunës Valbon Limani, ku i porositi që gjatë marrjes së vendimeve të tregojnë unitet dhe që debatet që do të zhvillohen të jenë konstruktive dhe në interes të qytetarëve dhe komunës.
Pas zgjedhjeve, mandatet në Këshillin e Gostivarit i fituan: Koalicioni i udhëhequr nga LSDM 1, Partia Demokratike e Turqve në Maqedoni (DPTM) 2, Koalicioni Vlen 3, Koalicioni "Maqedonia Juaj" e udhëhequr nga VMRO-DPMNE 5 dhe Koalicioni AKI 12.
Pas seancës konstituive, përbërja e re e Këshillit do të mbajë seancën e parë këtë pasdite. Në rend të ditës janë programi i zhvillimit për vitin e ardhshëm dhe ribalancimi i buxhetit, pas çka do të dihet se si partitë do të formojnë koalicion dhe do të mbështesin politikat e qeverisjes lokale. Në Gostivar, zgjedhjet për kryetar komune dështuan për shkak se për 22 vota nuk është arritur censusi, ndërsa Qeveria planifikon të emërojë një "të besueshëm", i cili do të menaxhojë komunën deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja për kryetar komune. bsh/
Foto: MIA