Konferencë: Të përmbushen nevojat e industrisë, suksesi nga arsimi i mesëm profesional të reflektojë edhe në arsimin e lartë
- Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut organizoi sot konferencën "Ndërtimi i së ardhmes - aftësi praktike për gjeneratën e re", në kuadër të projektit "Arsim për punësim në Maqedoni" i financuar nga ambasada e Zvicrës në Shkup.
Shkup, 18 nëntor 2025 (MIA) - Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut organizoi sot konferencën "Ndërtimi i së ardhmes - aftësi praktike për gjeneratën e re", në kuadër të projektit "Arsim për punësim në Maqedoni" i financuar nga ambasada e Zvicrës në Shkup.
Antoni Peshev, drejtor ekzekutiv i Odës, para fillimit të konferencës vuri në dukje reformat që janë të nevojshme në arsim për të përmbushur nevojat e industrisë dhe për ta ndalur siç tha ai, “falsifikimin e diplomave”.
"Nuk pajtohemi që në Maqedoni ka falsifikim diplomash, shumë pak njohuri. U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve të arsimit të lartë të bëjnë përpjekje maksimale për të rritur nivelin e arsimit, në mënyrë që të mund t'u përgjigjen nevojave të ekonomisë. Mund të mburremi me gjithçka që është bërë në arsimin dual dhe procesin e përgjithshëm të reformave në arsimin e mesëm profesional, por të sinjalizojmë se është koha të bëjmë këtë edhe me arsimin e lartë", theksoi Peshev.
Ai tha se "Maqedonia nuk guxon të mbetet në margjinat e zhvillimeve aktuale në botë" ku disa liderë të kompanive globale, siç tha ai, kanë theksuar në javët e fundit se "vitet që vijnë, bota do të ketë nevojë për shumë më tepër njerëz me aftësi praktike se sa njerëz që kanë diplomuar në universitet, ndërsa u mungojnë njohuritë e duhura".

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska tha se arsimi në vend në të ardhmen duhet t'u përgjigjet kërkesave të tregut të punës.
“MASH ka vendosur dialog jashtëzakonisht konstruktiv dhe të hapur me Odën Ekonomike të Maqedonisë dhe me ambasadën e Zvicrës e cila ndër vite ka qenë vazhdimisht mbështetëse e fortë në ndërtimin e sistemit arsimor bashkëkohorë, cilësor dhe gjithëpërfshirës. Së bashku jemi të orientuar drejt zhvillimit të aftësive praktike cilësore te gjeneratat e reja dhe modeli i arsimit dual është dëshmuar si mekanizmi më i mirë përmes të cilit e realizojmë këtë qëllim. Sot, rreth 700 kompani janë të përfshira aktivisht në ofrimin e mësimit praktik për nxënësit, dhe do të theksoj se arsimi profesional është pika e fortë e sistemit tonë arsimor”, theksoi Janevska.
Ministrja informoi se mbi 70% e nxënësve të dy gjeneratave të fundit që regjistrohen në arsimin e mesëm, zgjedhin të mësojnë në shkolla të mesme profesionale dhe në shtatë qendrat rajonale për arsim dhe trajnime profesionale, ku përgatiten mirë për përfshirje të shpejtë dhe të suksesshme në tregun e punës, por gjithashtu fitojnë bazë cilësore për avancim të mëtejshëm akademik.
“Nuk kam dyshim se do të arrijmë ta sinkronizojmë plotësisht sistemin arsimor me nevojat e të rinjve, të ekonomisë dhe të gjithë shoqërisë. Por jemi të vetëdijshëm se kjo kërkon kohë. Prandaj, kërkoj që mbështetja e komunitetit të biznesit dhe e partnerëve tanë ndërkombëtarë të vazhdojë. Të ruajmë bashkëpunimin dhe të ofrojmë më tej politika dhe zgjidhje të përbashkëta dhe të qëndrueshme në arsim”, shtoi Janevska.

Zëvendësambasadori Mihal Harari deklaroi se Zvicra është krenare që mbështet Maqedoninë e Veriut në forcimin e bashkëpunimit midis institucioneve arsimore dhe sektorit privat i cili siç tha, "ndërtohet mbi modelin e tyre të suksesshëm të arsimit të dyfishtë".
"Arsimi dual profesional dhe trajnimi filloi si një pilot- iniciativë dhe tani është ngritur në një qasje të njohur që ofron përfitime - si për studentët ashtu edhe për kompanitë, duke i përshtatur kështu aftësitë me nevojat e ekonomisë. Me mbështetjen zvicerane, parimet e partneritetit, rëndësisë dhe trajnimit praktik të cilat kanë rezultuar të suksesshme në arsimin e mesëm, tani po zbatohen në arsimin e lartë. Zvicra mbetet e përkushtuar në ndarjen e njohurive dhe nxitjen e inovacionit, konkurrencës dhe mundësive të punësimit të të rinjve", ka thënë Harari.
Foto: MIA