• сабота, 22 февруари 2025

Koalicioni "Fronti evropian" nuk është bërë vetëm për një cikël zgjedhor, po bëhen konsultime për paraqitje të përbashkët në zgjedhjet lokale, thotë Ademi

Koalicioni

Shkup, 4 shkurt 2025 (MIA) - Koalicioni "Fronti evropian" nuk është bërë vetëm për një cikël zgjedhor dhe paraqet vizion më të madh për ndërtimin e një shteti të përbashkët, i cili e reflekton heterogjenitetin e shoqërisë sonë, thotë zëdhënësi i BDI-së, Arbër Ademi, duke cekur se tashmë po bëhen konsultime për paraqitje të përbashkët me partitë nga Fronti evropian në zgjedhjet e ardhshme lokale.

I pyetur për të komentuar deklaratën e kryetarit të LSDM-së se nuk do të bëjnë koalicion me BDI-në, Ademi tha se partia ka pasur kumtesë dhe mbeten në atë qëndrim, duke cekur se ata çdoherë kanë partneritet me qytetarët.

"Ne çdoherë kemi pasur partneritet me qytetarët, kështu që e vazhdojmë atë partneritet me qytetarët dhe si çdoherë BDI dhe Fronti evropian do të jenë fituesit më të mëdhenj në zgjedhjet lokale", deklaroi Arbër Ademi, duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve pas vendosjes së luleve në varrin e Goce Dellçevit, me rastin e shënimit të 153-vjetorit të lindjes së tij.

Për eurointegrimet e vendit dhe nëse pret Pushteti t'i fillojë kontaktet me qeverinë e re bullgare, Ademi theksoi se obligimet tona si shtet janë definaur qartë në kornizën negociuese dhe është dashur të koncentrohet në përmbushjen e tyre.

"Jo sot, jo nesër, por duhej dje, pardje të koncentrohemi t'i përmbushim të gjitha obligimet tona në mënyrë që të sigurojmë perspektivë evropiane për të gjithë qytetarët. Kjo është alternativa e vetme për atdheun tonë të përbashkët", porositi Ademi. ab/

Foto: МIА

 

 

Остани поврзан