Klinika e Fëmijëve në Shkup mori pajisje mjekësore me vlerë rreth 2,7 milionë denarë
- Klinika për sëmundje të fëmijëve në Shkup sot mori një donacion - pajisje mjekësore ose pesë aparate të rëndësishme mjekësore - një plazmatermë, një bilirubinometër, një aparat eko për gjëndrën tiroide dhe organe të tjera, një videolaringoskop dhe një EKG Holter, me vlerë totale prej rreth 2,7 milionë denarë, informoi pasditen e sotme drejtori Rexhep Memedi në deklaratë për mediat.
Shkup, 18 nëntor 2025 (MIA) - Klinika për sëmundje të fëmijëve në Shkup sot mori një donacion - pajisje mjekësore ose pesë aparate të rëndësishme mjekësore - një plazmatermë, një bilirubinometër, një aparat eko për gjëndrën tiroide dhe organe të tjera, një videolaringoskop dhe një EKG Holter, me vlerë totale prej rreth 2,7 milionë denarë, informoi pasditen e sotme drejtori Rexhep Memedi në deklaratë për mediat.
Memedi falënderoi Fondacionin "Ice Begov", të Antonio Pandovskit dhe të gjithë donatorët që mbështetën fushatën humanitare "Për heronjtë tanë të vegjël".
"Kjo iniciativë është një gjest i madh human, sepse kjo pajisje mjekësore do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor, diagnostikimit dhe trajtimit të rreth 70.000 fëmijëve, të cilët trajtohen çdo vit në Klinikën për Sëmundjet e Fëmijëve. Secila prej këtyre pajisjeve do të bëjë një ndryshim të vërtetë dhe të matshëm në punën e përditshme të ekipeve tona mjekësore dhe në kujdesin për çdo fëmijë që vjen në Klinikë. Më lejoni të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për Fondacionin "Ice Begov" për angazhimin, transparencën dhe për faktin se e realizuan këtë projekt me shumë përkushtim. Falënderim edhe deri te Antonio, arritja e të cilit prej 600 kilometra vrapim deri te Manastirir Ostrog ishte një shembull guximi dhe humanizmi", theksoi drejtori.
Ai theksoi se ky bashkëpunim është provë se ndryshimi i vërtetë është i mundur kur institucionet, fondacionet dhe qytetarët punojnë së bashku. Ai gjithashtu iu referua edhe asaj pse këto pajisje janë kaq të rëndësishme.

"Plazmatermi është kritik për shkrirjen dhe ngrohjen e sigurt të plazmës në situata emergjente, gjë që është me rëndësi të madhe për pacientët tanë të sëmurë më rëndë. Bilirubinometri lejon matje të shpejtë, pa dhimbje dhe pa gjak të bilirubinës tek të porsalindurit - veçanërisht e rëndësishme në ditët e para të jetës. Pajisja me ultratinguj ofron diagnostikim me cilësi të lartë të gjëndrës tiroide, testikujve, mushkërive dhe organeve të tjera dhe na lejon të vlerësojmë gjendjen më shpejt dhe më saktë. Videolaringoskopi rrit ndjeshëm sigurinë e intubimit tek fëmijët - një procedurë që kërkon precizion dhe stabilitet. Holteri EKG lejon monitorim 24-orësh të çrregullimeve të ritmit të zemrës tek fëmijët, gjë që është thelbësore për diagnozë të saktë", theksoi Memedi.
Pandovski në deklaratë për mediat sqaroi se më 2 korrik, në nder të nënës së tij, u nis për një udhëtim prej 600 kilometrash që zgjati 18 ditë.
"U nisa me një qëllim të vetëm për të bërë diçka që do t'i ndihmonte fëmijët që po përballen me sfida shumë më të mëdha se të miat në rrugë. Kjo arritje nuk do të kishte qenë e mundur pa mbështetjen materiale, logjistike dhe organizative që mora nga Fondacioni "Ice Begov". Ata ishin me mua që nga dita e parë. Ndërsa vrapoja, ata punuan pa u lodhur në terren, në mënyrë që fushata "Për heronjtë tanë të vegjël" të arrinte te të gjithë qytetarët dhe kompanitë që e bënë këtë donacion realitet sot. Jam mirënjohës për të gjitha kompanitë dhe qytetarët që dhuruan. Dhe mbi të gjitha, falënderoj ekipin e Fondacionit "Ice Begov" që besoi tek unë dhe që krijoi një vepër humanitare me përmasa kombëtare nga një arritje personale", nënvizoi Pandovski.
Ai tha se kjo nuk është një histori për të. Kjo është, tha ai, një histori për mirësinë në vendin tonë.

Elena Begova, kryetare e Fondacionit, gjithashtu shprehu kënaqësinë e saj për ngjarjen e sotme.
"Humanitet, shpirt i gëzuar, mirësi. Këto janë themelet e Fondacionit "Ice Begov". Është karakteri i Ices që na shtyn përpara dhe na bashkon rreth qëllimit më të rëndësishëm për të ndihmuar fëmijët, të rrezikuarit, ata betejat e të cilëve shpesh janë të padukshme", tha ajo. ls/
Foto: MIA