• среда, 29 јануари 2025

Kim Xhong Un dëshiron ta përforcojë mburojën bërthamore

Kim Xhong Un dëshiron ta përforcojë mburojën bërthamore

Seul, 29 janar 2025 (MIA) - Lideri i Koresë së Veriut Kim Xhong Un bëri thirrje të përforcohet mburoja bërthamore e vendit gjatë vizitës në objektin për prodhimin e materialit bërthamor, publikuan sot mediat e Koresë së Veriut.

"Situata e sigurisë në Korenë e Veriut e bën të "pazëvendësueshëm" forcimin e përhershëm të mburojës bërthamore të vendit", tha Kim.

Raporti nuk jep kurrfarë informacione të sakta për atë se ku është objekti që e vizitoi Kim, as për atë se kur ka ndodhur vizita.

Përfaqësuesi i Qeverisë amerikane, dje për herë të parë konfirmoi se presidenti Donald Tramp do të vazhdojë ta ndjekë qëllimin e denuklearizmit të plotë të Koresë së Veriut nga armët e saj bërthamore gjatë mandatit të tij të dytë.

"Presidenti Tramp do të vazhdojë me denuklearizimin e plotë të Koresë së Veriut, njejtë siç bëri në mandatin e tij të parë", deklaroi zëdhënësi i Këshillit për Siguri Nacionale, Brajan Hjuz, citojnë mediat koreanojugore.

Gjatë mandatit të tij të parë si president i SHBA-së, Tramp ndoqi një politikë jokonvencionale për Korenë e Veriut e cila nga kërcënimet kaloi në një diplomaci direkte me Kimin.

Të dy u takuan tre herë: së pari në Singapor, pastaj në Hanoj dhe përfundimisht në linjën e demarkacionit ndërmjet Koresë së Veriut dhe të Jugut në qershor të vitit 2019. Edhe krahas këtyre përpjekjeve, nuk kishte marrëveshje për denuklearizimin e Koresë së Veriut. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

Остани поврзан