Katari: Kontaktet me Hamasin po japin rezultate
- Katari sot mbrojti kontaktet e tij me Hamasin, duke thënë se ato kanë rezultuar të dobishme në ndërmjetësimin midis lëvizjes islamiste palestineze dhe Izraelit.
Kajro, 7 dhjetor 2025 (MIA) - Katari sot mbrojti kontaktet e tij me Hamasin, duke thënë se ato kanë rezultuar të dobishme në ndërmjetësimin midis lëvizjes islamiste palestineze dhe Izraelit.
Katari është nikoqir i byrosë politike të Hamasit.
"Tani kemi parë se ky komunikim ka sjellë armëpushime, lirimin e pengjeve dhe lehtësim për vuajtjet e njerëzve atje", tha kryeministri i Katarit, Mohamed bin Abdulrahman, në Forumin e Dohas, një takim diplomatik vjetor në kryeqytetin e Katarit.
Ai shtoi se kontaktet midis Katarit dhe Hamasit filluan 13 vjet më parë me kërkesë të SHBA-së.
Për vite me radhë, SHBA është mbështetur te Katari si ndërmjetës në konfliktet me Hamasin, si dhe me talebanët afganë.
Katari, së bashku me Egjiptin dhe SHBA-në, për muaj të tërë ka ndërmjetësuar konfliktin në Gazë midis Hamasit dhe Izraelit.
Kryeministri i Katarit sot i mohoi akuzat se shteti i pasur i Gjirit ka financuar Hamasin.
"Ndihma dhe financimi që ata pretendojnë se shkuan te Hamasi në fakt ishin të destinuara për (popullin e) Gazës, përmes një procesi shumë transparent", shpjegoi ai.
Sipas kryeministrit, SHBA-ja ishte në dijeni të kësaj dhe Izraeli madje lehtësoi pagesat.
Katari për vite me radhë ka financuar Rripin e Gazës, duke siguruar fonde për karburant, rindërtim, paga në sektorin publik dhe ndihmë humanitare.
Në shtator, aeroplanët luftarakë izraelitë kryen një sulm ndaj një zone banimi në Doha, duke synuar udhëheqësit e Hamasit.
Në sulm humbën jetën gjashtë persona, përfshirë një oficer sigurie të Katarit.
Ky precedent shkaktoi zemërim në Doha dhe dënime globale, përfshirë kritika të rralla nga Presidenti amerikan Donald Tramp.
Foto: Arkivi