Kasami mori certifikatën për mandat të dytë, fillimisht do të realizohet transporti publik falas me autobusë
- Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami sot mori certifikatën nga Komisioni Komunal Zgjedhor, me të cilën zyrtarisht filloi mandatin e tij të dytë.
Tetovë, 7 nëntor 2025 (MIA) - Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami sot mori certifikatën nga Komisioni Komunal Zgjedhor, me të cilën zyrtarisht filloi mandatin e tij të dytë.
Ai në deklaratën për mediat shprehu falënderim për 21.000 votat e marra nga qytetarët, ndërsa theksoi se do të angazhohet për realizimin e projekteve që i premtoi gjatë fushatës zgjedhore.
"Bashkëqytetarëve të mi u premova se do të kenë transport publik falas dhe kjo do të realizohet. Në seancën e parë të përbërjes së re të Këshillit të Komunës së Tetovës do të miratohet vendimi që tetovarët të kenë transport falas, me çka do të kontribuojmë në një qytet më të rregullt, uljen e kaosit në trafik, ndërsa gjithashtu do të kontribuojmë në uljen e ndotjes", theksoi Bilall Kasami.
Kasami tha se të gjitha projektet të cilat kanë filluar para zgjedhjeve, do të vazhdojnë të realizohen.
"Një nga projektet që dua ta përmend është kolektori i ujërave të zeza së bashku me stacionin filtrues në fshatin Falishë, një projekt mbi 40 milionë euro. Tshmë jemi në fazën përfundimtare të zgjedhjes së ndërmarrjeve, firmave, gjegjësisht operatorëve që do ta realizojnë këtë projekt, dhe jam i bindur se në pranverën e hershme do të fillojnë punimet ndërtimore", tha Kasami.
Sipas tij, në katër vitet e ardhshme do të ketë cikël të ri të zhvillimit të qytetit dhe të komunës.
"Me këtë, realizimi i disa projekteve të mëdha, siç është stadiumi i qytetit që tashmë po ndërtohet dhe që do të përfundojë brenda dy viteve të ardhshme, së bashku me shumë projekte të tjera, si ndërtimi i shkollave, ndërtimi i infrastrukturës rrugore dhe rrjetit të ujësjellësit. Me këto projekte do të tregojmë dhe do t’i bindim edhe skeptikët më të mëdhenj se në Tetovë nuk ka projekte para dhe pas zgjedhjeve, domethënë ato do të vazhdojnë të realizohen me të njëjtën dinamikë", theksoi Kasami.
Sipas tij, me realizimin e prejkteve të përmendura, Tetova më shumë do të ngjajë me qytetet evropiane. qa/
Foto: MIA