Kasami: Humbës më i madh do të jetë ai që do të dalë nga koalicioni VLEN
- Humbës më i madh do të jetë ai që do të dalë nga koalicioni VLEN. Thënia popullore thotë "ai që ndahet nga grupi, do ta hajë ujku", thotë Bilall Kasami, kryetari i Lëvizjes BESA për partnerin e tij në VLEN, Arben Taravari pas mosmarrëveshjeve në koalicionin dhe kritikat nga Aleanca për Shqiptarët për funksionimin e tij si pjesë e Qeverisë.

Shkup, 13 prill 2025 (MIA) - Humbës më i madh do të jetë ai që do të dalë nga koalicioni VLEN. Thënia popullore thotë "ai që ndahet nga grupi, do ta hajë ujku", thotë Bilall Kasami, kryetari i Lëvizjes BESA për partnerin e tij në VLEN, Arben Taravari pas mosmarrëveshjeve në koalicionin dhe kritikat nga Aleanca për Shqiptarët për funksionimin e tij si pjesë e Qeverisë.
"Unë mendoj se VLEN peshon..., mos të flas më shumë, por njëjtë pa Taravarin sesa ka peshuar me të. Megjithatë, faktorët tjerë janë këtu. Nga ana tjetër, me çdo anëtar në një familje, në një koalicion, madje edhe në një parti, ka vlerë, pasi dikush do të jetë brenda. Por, cilido që të dalë, automatikisht krijon mundësi që dikush të hyjë. Unë mendoj se humbësi më i madh do të jetë ai që del, në rastin nga koalicioni VLEN. Thënia popullore thotë 'ai që ndahet nga grupi, do ta hajë ujku'. Në këtë rast, mendoj se VLEN do të vazhdojë edhe më fuqishëm", thotë Kasami në intervistë për Radio Evropa e Lirë për mosmarrëveshjet e fundit në koalicion.
Në pyetjen se sa janë gjasat nga perspektiva e sotme që koalicioni së bashku të paraqitet në zgjedhjet e ardhshme lokale ose megjithatë është mundur që Taravari të largohet nga VLEN, vlerëson se është real opsioni që koalicioni të mbijetojë.
"Ende besoj se ka gjasa reale të vazhdojmë së bashku, sepse vlerësoj që së pari vlera e secilës parti, pjesë e VLEN-it, është më e madhe si pjesë e koalicionit sesa jashtë. Ne kemi tentuar edhe më parë, secili veç e veç, të sfidojmë Ali Ahmetin dhe BDI-në dhe nuk kemi arritur. Ne ia dolëm mbanë vetëm kur qëndruam së bashku. Pra, shpresoj se kjo do të mbizotërojë tek çdo anëtar i këtij koalicioni dhe në fund do të dalim me një qëndrim të përbashkët se qëllimi që të jemi bashkë, mbetet i njëjti", thotë Kasami.
Sipas tij, BDI ende nuk e ka dhënë përgjigjen për 20 vjet qeverisje korruptive, kriminale me shtetin dhe mospërfaqësimit të shqiptarëve. Ai beson se komunikimi me BDI-në do të ishte i mundur pasi kjo parti të japë llogari dhe të reformohet.
"Do të thotë, unë e kam thënë këtë disa herë. Unë vlerësoj se Ali Ahmeti duhet të përgjigjet për atë që ua ka bërë shqiptarëve, për keqpërdorimet e pozitave të funksionarëve të tij, të familjarëve të tij të afërt. BDI-ja duhet thellë të reformohet, e pastaj duhet të shohim për kanale të mundshme të komunikimit", thotë Kasami.
Lidhur me atë se çka në të vërtetë kërkon Taravari, e çka është e pranueshme për VLEN kur bëhet fjalë për ndarjen e posteve të kryetarëve të komunave dhe listave të këshilltarëve, kryetari i Lëvizjes BESA thotë se nuk është ky shkaku.
"Nëse do t'i jepnim pesë pozita të garantuara parlamentare në lista, ne ishim të gatshëm t'i jepnim të njëjtin avantazh në pjesën e pozitave në zgjedhjet lokale. Qoftë për kryetarë të komunave apo këshilltarë. Por, insistimi për të shkuar veçmas në lista dhe çfarë ka mbetur në ato pozita, për ne, shkon në favor të asaj që kemi thënë gjatë gjithë kohës - dhënie edhe një mundësie tjetër për BDI-në për t'u rikthyer. Pasi, megjithatë, këto janë zgjedhje lokale. Në zgjedhjet lokale, pozicioni politik, respektivisht vlera e votës politike, janë listat. Sepse aty voton për një listë partie apo koalicioni. Kur bëhet fjalë për kandidatët, qytetarët më shumë zgjedhin një person. Ne vlerësojmë se ose do të dalim bashkë edhe për listat për kryetar komune edhe për këshilltarë, kandidatët do të jenë nga koalicioni VLEN ose kushdo që ka një kombinim tjetër, ky nuk është kombinim i koalicionit VLEN", theksoi Kasami për REL. bsh/
Foto: MIA arkiv