• сабота, 22 февруари 2025

Kanceri i qafës së mitrës është sëmundja e gjashtë më e zakonshme malinje tek gratë

Kanceri i qafës së mitrës është sëmundja e gjashtë më e zakonshme malinje tek gratë

Shkup, 21 janar 2025 (MIA) - Janari është muaji i përkushtuar për ngritjen e vetëdijes për kancerin e qafës së mitrës - një nga llojet më të shpeshta dhe më të parandalueshme të kancerit te femrat. Kanceri i qafës së mitrës zhvillohet ngadalë, gjë që mundëson zbulimin e hershëm përmes ekzaminimeve të rregullta gjinekologjike dhe skrining testeve, siç është PAP-testi dhe testimi për papilloma virus njerëzor (HPV), theksuan sot nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP).

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga ISHP, në vitin 2022 kishte 173 paciente me kancer të qafës së mitrës, ndërsa numri i vdekjeve ishte 66.

"Në periudhën prej 10 viteve, përkatësisht nga viti 2013 deri në vitin 2022, incidenca mesatare e kësaj sëmundjeje ishte 9,2 për 100,000 gra, ose rreth 170 raste të reja çdo vit, duke e bërë kancerin e qafës së mitrës sëmundjen e 6-të malinje më të zakonshme tek gratë. Sipas të dhënave të vdekshmërisë, vdekshmëria është 2,9 vdekje për 100,000 gra, ose mesatarisht 52 gra që vdesin gjatë kësaj periudhe nga kanceri i qafës së mitrës. Me kontrolle të rregullta dhe kujdes të mirë për shëndetin tuaj, të gjitha këto vdekje mund të shmangen, pasi skriningu i mirë dhe zbulimi i hershëm i të gjitha rasteve sjell mundësi të mira për trajtim efektiv dhe shmangien e shumë vdekjeve, thonë nga ISHP.

Shkaku kryesor është infeksioni me HPV, një virus seksualisht i transmetueshëm. Megjithëse shumica e infeksioneve HPV janë të padëmshme dhe zhduken spontanisht, disa lloje të virusit mund të çojnë në ndryshime prekanceroze ose kancer - këto janë HPV 16, 18, 31, 33, 35, 39, 45, 51, 52, 56, 58 dhe 59. Përveç papillomavirusit njerëzor (HPV) si shkaktari më i zakonshëm, faktorë të tjerë që rrisin rrezikun e shfaqjes së kësaj sëmundjeje janë fillimi i hershëm i marrëdhënieve seksuale - ekspozimi më i madh ndaj virusit HPV në një moshë më të re, pastaj më shumë partnerë seksualë - rritja e rrezikut për HPV infeksion. Pastaj, një sistem i dobët imunitar dhe pirja e duhanit.

Sipas ISHP-së, vaksinimi kundër HPV-së është mënyra më efektive e parandalimit, së bashku me skrining-ekzaminimet e rregullta, si dhe praktikat e sigurta seksuale.

Në fazat e hershme, ky kancer shpesh nuk ka simptoma. Por fazat e avancuara mund të shkaktojnë gjakderdhje anormale vaginale midis periodave, pas menopauzës ose pas seksit, dhimbje gjatë seksit, pastaj dhimbje në shpinë, këmbë, sekrecione të pazakonta vaginale me një erë të pakëndshme intensive, humbje peshe, humbje oreksi e ndjekur nga dobësi dhe keqtrajtim, ënjtje e këmbëve. Zbulimi i hershëm dhe trajtimi në kohë rrisin ndjeshëm shanset për shërim.

Trajtimi për kancerin e qafës së mitrës, shtojnë ata, varet nga faza e sëmundjes. "Fazat e hershme: kirurgji ose procedura minimale invazive. Fazat e mëvonshme: kombinimi i radioterapisë dhe kimioterapisë. Mbështetja për gratë që kalojnë këtë përvojë është po aq e rëndësishme sa trajtimi mjekësor. Grupet mbështetëse, ndihma psikologjike dhe mbështetja sociale luajnë një rol kyç në përmirësimin e cilësisë së jetës", theksojnë nga Instituti. ls/

Foto: ISHP 

 

Остани поврзан