Kambovski: Këshilli Gjyqësor mbështet kërkesat e sindikatave, pritet përgjigje nga Ministria e Financave
- Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, pas takimit të sotëm me përfaqësuesit e sindikatave të administratës shtetërore dhe gjyqësore, deklaroi se Këshilli e kupton seriozitetin e problemeve me të cilat përballen nëpunësit e gjykatave dhe do të vazhdojë të angazhohet për zgjidhjen e tyre.
Shkup, 10 dhjetor 2025 (MIA) - Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, pas takimit të sotëm me përfaqësuesit e sindikatave të administratës shtetërore dhe gjyqësore, deklaroi se Këshilli e kupton seriozitetin e problemeve me të cilat përballen nëpunësit e gjykatave dhe do të vazhdojë të angazhohet për zgjidhjen e tyre.
"Patëm një takim shumë konstruktiv në të cilin mbështetëm kërkesat e tyre. I kuptojmë problemet e tyre, sepse shumica e anëtarëve të Këshillit vijnë nga gjykatat dhe e dinë presionin nën të cilin funksionojnë nëpunësit, veçanërisht në gjykatat e mëdha jashtë Shkupit", theksoi Kambovski në promovimin e softuerit për lidhje digjitale të Gjykatës Administrative me organet publike dhe Gjykatën e Lartë Administrative.
Ai theksoi se Këshilli Gjyqësor tashmë i ka kërkuar Ministrisë së Financave të miratojë ridestinim të fondeve për pagesën e shtesave të pagave, të cilat janë siguruar, por ndodhen në një nënllogari tjetër buxhetore.
"Kërkesa është dërguar dy javë më parë, por për fat të keq ende nuk kemi asnjë përgjigje, as pozitive dhe as negative. Presim që Ministria të reagojë, sepse fondet ekzistojnë", shtoi Kambovski.
Sindikatat më parë kërkuan pagesën e menjëhershme të shtesave, regres për pushim vjetor, plotësimin e vendeve të lira dhe miratimin e Ligjit për Shërbimin Gjyqësor.
Foto: MIA