Kallas: Duhet të rrisim ndikimin global të BE-së si antitezë e boshtit autokratik
- Plani ynë është të rrisim ndikimin e Bashkimit Evropian në nivel global, si antitezë e boshtit autokratik që po formohet sot në botë, tha Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë Kaja Kallas në një fjalim në hapjen e Konferencës vjetore të Ambasadorëve të Bashkimit, me titull "Politikës e Jashtme të BE-së që realizon", e cila po mbahet në Bruksel nga sot deri të premten.

Bruksel, 3 janar 2025 (MIA) - Plani ynë është të rrisim ndikimin e Bashkimit Evropian në nivel global, si antitezë e boshtit autokratik që po formohet sot në botë, tha Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë Kaja Kallas në një fjalim në hapjen e Konferencës vjetore të Ambasadorëve të Bashkimit, me titull "Politikës e Jashtme të BE-së që realizon", e cila po mbahet në Bruksel nga sot deri të premten.
Kallas theksoi se një hulumtim muajin e kaluar tregoi se qytetarët e shumë vendeve të botës besojnë se BE do të ketë ndikim më të madh global në dekadën e ardhshme.
"Besimi në kapacitetin e BE-së si aktor global, në të njëjtin nivel me SHBA-në dhe Kinën, është më i madh se ai që ndjejnë qytetarët e shumë vendeve të Bashkimit Evropian... Fuqia jonë është liria, dinjiteti, barazia, prosperiteti. Kjo është fuqia e tërheqjes. Është mjeti ynë më i fortë", theksoi Kallas.
Sipas saj, mbështetja e Ukrainës duhet të jetë përparësia kryesore e BE-së, sepse presidenti rus Vlladimir Putin "dëshiron të gjithë Ukrainën, ndërsa ajo nuk është e tij që ta marrë."
"Ai nuk shqetësohet për NATO-n, sepse po të ishte, nuk do t'i tërhiqte trupat e tij nga kufijtë e NATO-s për të luftuar në Ukrainë. Ai është më i shqetësuar për zgjerimin e demokracisë dhe vlerat për të cilat angazhohet BE-ja. Problemi është se Rusia po lufton kundër nesh disa qindra kilometra larg kufijve tanë", tha Kallas.
Për këto arsye, sipas saj, BE-ja duhet të ndihmojë në përfundimin e luftës, por në mënyrë që paqja të mbijetojë në mënyrën që meriton Ukraina, duhet t'i bëhet presion Kremlinit për të ndryshuar qëllimet e tij.
"Prandaj, ne duhet të jemi më të fortë se Rusia, duke sanksionuar ata që ndihmojnë Rusinë në funksionimin e makinerisë së saj ushtarake dhe duke bllokuar fitimet nga nafta dhe gazi që rrjedhin drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit. Sanksionet tona po funksionojnë. Ekonomia ruse po përballet me probleme. Tani nuk mund ta lehtësojmë presionin. Ne gjithashtu duhet të jemi më të fortë për shkak të Ukrainës", shtoi Kallas.
Sipas saj, BE-ja duhet të bëjë më shumë me mbështetjen e saj në çdo hap për të ndihmuar ukrainasit, të cilët po luftojnë me shumë guxim
"Nuk mund të flasim për të bërë më pak, kur duhet të bëjmë më shumë. Nëse ka vullnet, ka edhe mënyrë. Kështu që, nuk e pranoj argumentin se kjo apo ajo nuk është bërë kurrë më parë. Unë dua që ne të gjejmë zgjidhje plotësuese për financim për Ukrainën", tha përfaqësuesja e lartë e BE-së, duke theksuar se Rusia përbën kërcënim ekzistencial për të gjithë.
Kallas theksoi se BE ka shumë partnerë në mbarë botën, por asnjë prej tyre nuk është aq i rëndësishëm për të sa SHBA-ja, kështu që Bashkimi duhet të dëgjojë miqtë e tij.
"Ashtu siç duam që SHBA-ja të ndihmojnë në ndalimin e agresionit rus në Evropë, ne duhet të kuptojmë interesat themelorë të Amerikës", tha Kallasi.
Sipas saj, BE është tregu më i madh për produktet kineze dhe shumë vende evropiane kanë interesa të rëndësishme në Kinë, por është gjithashtu një konkurrent strategjik i Bashkimit.
"Ne nuk duhet të përsërisim me Kinën gabimet e njëjta që kemi bërë me Rusinë. Varësia na bën të prekshëm. Kur duhej, BE dëshmoi se mund të "çlirohet" nga Rusia. Pra, nëse duam, mund ta eliminojmë edhe rrezikun nga Kina", konsideron Kallas.
Ajo theksoi se BE duhet të vazhdojë të forcojë partneritetet me ata që ndajnë interesat dhe vlerat e saj, të tilla si Japonia, Koreja e Jugut, Australia, Zelanda e Re, si dhe me Mbretëria e Bashkuar, e cila nuk është më në Bashkim, por është ende në Evropë.
Kallas gjithashtu iu referua situatave në Lindjen e Mesme, duke theksuar se për herë të parë në shumë vite ka lajme pozitive nga ky rajon – Irani po dobësohet, regjimi i Bashar Asadit ka rënë në Siri, pengjet po lirohen, Izraeli ka arritur marrëveshje armëpushimi me Hamasin dhe Hezbollahun, Libani ka udhëheqje të re.
"Rajoni mund të bëjë përparim dhe BE duhet të luajë rol në këtë. Nëse nuk jemi aty për të bërë pyetjet e duhura, për t'u angazhuar për gjithëpërfshirje dhe për të promovuar vlerat demokratike, atëherë kush do të bëjë këtë? ”, pyeti Kallas.
Ajo theksoi se pavarësisht përparimit të arritur, gjendja në rajon ishte ende jashtëzakonisht e brishtë dhe të gjitha zhvillimet janë të ndërlidhura.
"Shanset që autoritetet e reja libaneze të reformojnë vendin varen nga mbijetesa e armëpushimit midis Izraelit dhe Hezbollahut, përleshjet ende po ndodhin si në Gaza ashtu edhe në Libanin jugor, udhëheqja izraelite heziton të kthehet në zgjidhjen me dy shtete, ne jemi larg nga të gjitha grupet e rëndësishme politike palestineze që njohin shtetin e Izraelit, Irani do të përpiqet të rimarrë pozicionin që ka humbur dhe udhëheqësit e rinj të Sirisë po thonë të gjitha fjalët e duhura, por është ende shumë herët për të vlerësuar se në cilin drejtim po shkon vendi. Prandaj, duhet të ndihmojmë atje ku të mundemi", tha Kallas.
Sipas saj, Lindja e Mesme ishte dhe do të mbetet një rajon shumë i rëndësishëm për Evropën, sepse paqëndrueshmëria e saj ka efekt të menjëhershëm në Evropë, kryesisht përmes rritjes së migrimit dhe kërcënimeve të terrorizmit.
"Për këtë arsye, ne duhet të vazhdojmë të mbështesim proceset e rindërtimit në Siri dhe Liban, të zbusim katastrofën humanitare në Gaza dhe të rivendosim misionin tonë të ndihmës kufitare në Rafah, duke mundësuar transferimin e individëve jashtë Gazës, duke përfshirë ata që kanë nevojë për ndihmë mjekësore. Por unë dua që ne të bëjmë më shumë, theksoi Kallas, duke bërë thirrje që të forcohen marrëdhëniet e BE-së me rajonin dhe për të shfrytëzuar potencialet për bashkëpunim.
Kallas thekson se BE duhet të shfrytëzojë të gjitha mundësitë për të bashkëpunuar me ata me të cilët ka interesa të përbashkëta, qofshin ato vende në Afrikë, Amerikën Latine dhe Karaibe, Azinë Juglindore apo rajonin e Paqësorit.
"Ne do të vlerësojmë se si interesat tona përputhen me ato të partnerëve tanë, por ne jemi ende Evropë", tha Kallas, duke theksuar se nuk ka vend për bashkëpunim me ato vende që shkelin sistematikisht të drejtat e njeriut dhe qytetare dhe mbështesin regjimet autokratike, të cilat e kanë shpallur veten armiq të BE-së.
Sipas saj, Bashkimi mund të ecë përpara dhe ne kemi përgjegjësi për të luajtur rol të rëndësishëm gjeopolitik dhe për të forcuar pozicionin tonë si partneri më i parashikueshëm, i sigurt dhe i besueshëm në botë.
- Ne e dimë qartë se çfarë duam të arrijmë: mbrojtja e Ukrainës për të mbrojtur evropianët, ruajtja dhe forcimi i aleancave tona me vendet e mendimit të njëjtë, arritja e paqes në Lindjen e Mesme dhe nxitja e partneriteteve me përfitim reciprok. Le ta bëjmë këtë së bashku, tha Kallas në fjalën e hapjes së Konferencës vjetore të ambasadorëve të Bashkimit Evropian, ku morën pjesë mbi 145 krerë të delegacioneve dhe zyrave dhe misioneve ushtarake dhe civile të BE-së në mbarë botën, përfaqësuesit specialë dhe eurodeputetët e bllokut dhe krerët e misioneve të Komisionit Evropian në të 27 vendet anëtare.
Nesër, Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Kosta, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen dhe Presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Mecola do t'u drejtohen pjesëmarrësve të konferencës.
Konferenca e ambasadorëve të BE-së është ngjarje vjetore e konceptuar si mbledhje për shkëmbimin e mendimeve midis pjesëmarrësve mbi politikën e jashtme, aktivitetet, ngjarjet globale dhe prioritetet strategjike të Bashkimit. sp/
Foto: EBS