Ka filluar Forumi rajonal "Nga politika te impakti: Avancimi i integritetit dhe reformave institucionale në Ballkanin Perëndimor"
- Në Shkup ka filluar Forumi rajonal "Nga politika te impakti: Avancimi i integritetit dhe reformave institucionale në Ballkanin Perëndimor" i cili pritet të sjellë angazhime të reja, koordinim më të thellë midis vendeve të rajonit dhe qasje të avancuara në luftën kundër korrupsionit, duke përfshirë përdorimin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale.
Shkup, 10 dhjetor 2025 (MIA) - Në Shkup ka filluar Forumi rajonal "Nga politika te impakti: Avancimi i integritetit dhe reformave institucionale në Ballkanin Perëndimor" i cili pritet të sjellë angazhime të reja, koordinim më të thellë midis vendeve të rajonit dhe qasje të avancuara në luftën kundër korrupsionit, duke përfshirë përdorimin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale.
Ndër të tjera, në këtë aktivitet fjalime kanë mbajtur kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi dhe zëvendëskryeministri përgjegjës për politikat e qeverisjes së mirë, Arben Fetai.
"Kur flasim për integrimin evropian, dua t'ju kujtoj një fakt që e përmend shpesh. Integrimi nuk përshpejtohet me deklarata, as nuk pengohet prej tyre. Ajo varet nga angazhimi ynë i sinqertë ndaj reformave. Atë që kërkon BE nuk është vetëm harmonizimi i ligjeve. Ajo kërkon harmonizimin e vlerave dhe vlerat nuk importohen, por ndërtohen. Çdo ditë. Nuk duhet synuar për integrim për të vendosur vlera evropiane. Përkundrazi, ne duhet të vendosim vlera evropiane për të merituar integrimin. Prandaj është shumë e rëndësishme të kuptojmë se Brukseli nuk ka nevojë për reformat tona, por ne kemi nevojë për to", nënvizoi Gashi.
Zëvendëskryeministri Fetai në deklaratën për mediat, theksoi se Forumi i sotëm në Shkup i cili vjen një ditë pas Ditës ndërkombëtare kundër korrupsionit, organizohet nga Qeveria me ndihmën e partnerëve të saj Zvicra dhe Suedia, si dhe BE-së dhe UNOPS-it dhe Sektorit joqeveritar dhe i kushtohet luftës kundër korrupsionit dhe koordinimit të hapave të mëtejshëm.
"Në fund të konferencës do të miratojmë një deklaratë - Deklarata e Shkupit e cila do të jetë bazë për konferenca të mëtejshme. Qëllimi është që kjo konferencë të organizohet çdo vit. Vitin tjetër do të dimë se deri ku jemi, nëse kemi pasur sukses apo kemi dështuar në disa fusha. Pra, qëllimi kryesor është që kjo konferencë të jetë rajonale dhe të mbahet çdo vit. Duam të dëshmojmë se Qeveria po bën vërtet përpjekje për të luftuar korrupsionin dhe se ky nuk është vetëm një premtim bosh zgjedhor. Qëllimi ynë kryesor është të jemi faktor në Ballkan lidhur me këtë temë - luftën kundër korrupsionit", ka thënë Fetai.
Forumi do të përfshijë katër panel diskutime kushtuar perspektivave rajonale dhe mbështetjes së koordinuar ndërkombëtare për promovimin e qeverisjes së mirë; rritjen e llogaridhënies dhe shndërrimin e politikave në rezultate të matura; qeverisjen inteligjente, mjetet digjitale dhe inteligjencën artificiale në luftën kundër korrupsionit; koordinimin midis institucioneve të llogaridhënies dhe rolin e shoqërisë civile dhe gazetarisë investigative.
Forumi rajonal do të tubojë ministrat e drejtësisë, drejtuesit e institucioneve kundër korrupsionit, përfaqësues të shoqërisë civile, mediat dhe organizatat ndërkombëtare nga mbarë Ballkani Perëndimor.
Në fund të aktivitetit është paralajmëruar që pjesëmarrësit të miratojnë deklaratë të përbashkët mbi angazhimet ndaj integritetit, përpjekjeve kundër korrupsionit dhe bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor.
Foto: MIA