Jovanovski pas marrjes së detyrës si kryetar i komunës së Kërçovës: Do të punoj me përkushtim, në mënyrë transparente dhe në interes të të gjithëve
- Kryetari i ri i Komunës së Kërçovës, Aleksandar Jovanovski sot e mori detyrën nga kryetari i deritanishëm i komunës Fatmir Dehari. Ai në një postim në Fejsbuk, në gjuhën maqedone, shqipe dhe turke thekson se këtë detyrë nuk e sheh si privilegj, por si obligim para qytetarëve të punojë me përkushtim, në mënyrë transparente dhe në interes të të gjithëve.
Shkup, 10 nëntor 2025 (MIA) - Kryetari i ri i Komunës së Kërçovës, Aleksandar Jovanovski sot e mori detyrën nga kryetari i deritanishëm i komunës Fatmir Dehari. Ai në një postim në Fejsbuk, në gjuhën maqedone, shqipe dhe turke thekson se këtë detyrë nuk e sheh si privilegj, por si obligim para qytetarëve të punojë me përkushtim, në mënyrë transparente dhe në interes të të gjithëve.

"Në vetë fillimin dua sinqerisht ta falënderoj kryetarin e deritanishëm të komunës, z. Fatmir Deharin, për angazhimin dhe kontributin e tij shumëvjeçar. Respekti për atë që është bërë është themel i çdo progresi, ndërsa vazhdimësia dhe bashkëpunimi janë çelësi i sukseseve të ardhshme. Qyteti ynë ka potencial, ka njerëz me vlerë, dhe ka vizion për një të ardhme më të mirë", shënoi Jovanovski.
Ai thekson se qëllimi i tij është të ndërtojë një vetëqeverisje lokale që do të jetë e afërt me qytetarët, e hapur për ide dhe zgjidhje, dhe e cila do t'i dëgjojë të gjithë, pa dallim të përkatësisë politike, etnike ose fetare, të gjithë janë po aq të rëndësishëm.

"Besoj se me punë të përbashkët, dialog të sinqertë dhe përkushtim do të krijojmë një qytet më të bukur, më të drejtë dhe më të suksesshëm për të gjithë ne dhe për gjeneratat e ardhshme. Le të jetë ajër, le të ecim përpara - së bashku, për mua siç e dini nuk ekzistojnë ndarje, ajo nga e cila do të udhëhiqemi është një jetë dinjitoze për të gjithë! Dr. Aleksandar Jovanovski - kryetari juaj i komunës së Kërçovës", thekson Jovanovski. sa/
Foto: Fejsbuku i Aleksandar Jovanovski