Janë arrestuar katër persona të dyshuar për organizim terrorist, kishin për qëllim të kryenin akte terroriste në objekte publike
- – Janë arrestuar katër persona, janë gjetur dhe marrë pushkë automatike, pistoletë dhe sende të tjera të cilat do të jenë objekt i ekspertizave të mëtutjeshme forenzike, në bastisjet e kryera në një shtëpi dhe hapësira të tjera, në pesë lokacione në Shkup dhe Gostivar, njoftuan sot nga Prokuroria Publike e RMV-së.

Shkup, 24 janar 2025 (MIA) – Janë arrestuar katër persona, janë gjetur dhe marrë pushkë automatike, pistoletë dhe sende të tjera të cilat do të jenë objekt i ekspertizave të mëtutjeshme forenzike, në bastisjet e kryera në një shtëpi dhe hapësira të tjera, në pesë lokacione në Shkup dhe Gostivar, njoftuan sot nga Prokuroria Publike e RMV-së.
Gjatë ditës së djeshme nën udhëheqjen e prokurorit kompetent publik nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, është zbatuar aksion i koordinuar i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare dhe departamenteve për çrrënjosjen e krimit të organizuar dhe serioz dhe për operacione speciale të policisë pranë MPB, në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme që filluan në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa lidhur me parandalimin dhe çrrënjosjen e kërcënimeve nga terrorizmi.
“Aksioni është rezultat i veprimeve të ndërmarra në Laboratorin për Forenzikë Digjitale në kuadër të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ku janë zbuluar më shumë grupe në rrjetin social Telegram në të cilat të dyshuarit kishin shpërndarë material propagandues të grumbulluar dhe të përkthyer të ISIS dhe kanë rekrutuar anëtarë të rinj. Duke vepruar në bazë të padisë penale prokurori kompetent ka dhënë urdhër për zbatimin e procedurës hetuese kundër këtyre personave për të cilët ekziston dyshimi se kanë kryer vepër penale ‘organizatë terroriste’”, bënë të ditur sot nga PP.
Duke vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore, prokurori publik i lëndës gjykatësit të procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore Penale Shkup i ka parashtruar propozime për përcaktimin e masës së paraburgimit për të gjithë të dyshuarit. Gjykatësi e pranoi propozimin dhe të dyshuarve ua caktoi masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditë.
Nga MPB informuan se për të denoncuarin e parë ekzistojnë dyshime se ka krijuar qeli terroriste në të cilën me pjesëmarrje aktive kishin vepruar tre personat e tjerë të raportuar penalisht.
“Qëllimi i anëtarëve të qelisë terroriste ishte që të kryejnë akt terrorist kundër objektivave civile apo të ashtuquajtura të buta, gjegjësisht objekteve publike në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut me qëllim të krijimit të ndjenjës së pasigurisë apo frikës tek qytetarët. Qelia vepronte nga pozicioni i një matrice ideologjike të organizatës së njohur terroriste ISIS dhe për të arritur qëllimin e saj, i pandehuri i parë formoi disa grupe në rrjetin social Telegram, në të cilat shpërndante materiale propaganduese që kishte siguruar dhe përkthyer më parë të ISIS dhe rekrutonte anëtarë të rinj, kishte tentuar të sigurojë armë zjarri, si dhe kanë marrë udhëzime për prodhimin e mjeteve shpërthyese të improvizuara që më pas do t'i përdorin për të kryer sulme terroriste”, sqarojnë nga MPB.
Anëtarët e tjerë ishin pjesë e grupeve në telegram, ku ishin shpërndarë materiale të përkthyera të cilat më parë ishin marrë nga media zyrtare të shfrytëzuara nga organizata terroriste ISIS. fc/
Fotografia: Arkivi i MIA-s