Jankulloska: Gjykata në Strasburg i konfirmoi shkeljet në gjykimin kundër meje, vuajta dënim drakonik dhe të padrejtë
- – Ish ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska në profilin e saj në Fejsbuk njoftoi se pas pesë vjetëve nga parashtrimi i aplikimit në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në lidhje me gjykimin kundër saj për lëndën “Tanku” për furnizim të automjetit të blinduar për nevojat e shtetit, Gjykata në Strasburg i ka konfirmuar shkeljet e të drejtës së gjykimit në lëndë.
Shkup, 24 nëntor 2025 (MIA) – Ish ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska në profilin e saj në Fejsbuk njoftoi se pas pesë vjetëve nga parashtrimi i aplikimit në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në lidhje me gjykimin kundër saj për lëndën “Tanku” për furnizim të automjetit të blinduar për nevojat e shtetit, Gjykata në Strasburg i ka konfirmuar shkeljet e të drejtës së gjykimit në lëndë.
“Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut njoftoi sot se po hap çështje serioze në lidhje me shkeljet e dokumentuara të së drejtës për një gjykim të drejtë në rastin kundër meje, në lidhje me furnizimin e një automjeti të blinduar për nevojat e shtetit. Këto pyetje nuk janë vetëm konfirmim i gjithë paligjshmërisë dhe pandërgjegjshmërisë së instalimeve të qeverisë së mëparshme në gjyqësor në lidhje me mua personalisht, por edhe konfirmim se pikërisht ato instalime ishin mjeti më i fuqishëm për arritjen e qëllimeve të asaj qeverie. Edhe pse kanë kaluar pothuajse 5 vjet që nga paraqitja e kërkesës në GJEDNJ, ndërsa unë kam duruar një dënim të padrejtë drakonik dhe dëmi që kam pësuar në nivel privat dhe profesional nuk mund të kompensohet, dija se këto shkelje janë njohur nga GJEDNJ është një kënaqësi e vogël personale për mua”, shkruan Jankulloska në njoftim.

Ajo njëherësh thekson se shpreson se do të ketë përgjegjësi për të gjitha krimet e bëra dhe se përfundimisht, siç bën të ditur, gjyqësori do ta marrë porosinë se nuk duhet të shërbejë në interes të askujt, por se janë paguar nga qytetarët që t’i mbrojnë të drejtat e tyre.
“Ndoshta më në fund ata me 2 për qind besim do ta marrin porosinë se nuk duhet t'u shërbejnë interesave dhe agjendave të askujt, sepse qytetarët i paguajnë për t'i mbrojtur, jo për të shkelur të drejtat e tyre. Zonja që sot është në shtyllën e turpit dhe që u shpërblye bujarisht me një pozicion të lartë nga qeveria e mëparshme për krimet e saj, është një shembull se toga gjyqësore nuk është një jelek antiplumb që mbron nga qortimet shoqërore. Shpresoj që më në fund do të ketë përgjegjësi për të gjitha të këqijat e kryera, por edhe nëse kjo nuk ndodh, nuk kam dyshim se askush nuk mund t'i shpëtojë gjykimit të historisë”, bën të ditur Jankulloska.
Gjykatësja Dobrilla Kacarska, e cila është anëtare aktuale e Gjykatës Kushtetuese, në vitin 2018 e dënoi ish ministren e Punëve të Brendshme Jankulloska me gjashtë vjet burg për furnizim të automjetit “mercedes” në procedurën e ndarë për rastin “Tanku” të Prokurorisë Speciale Publike. Pas ankesave të Jankulloskës të cilat Gjykata e Apelit Shkup i pranoi pjesërisht, aktvendimi i shkallës së parë edhe ishte ndryshuar vetëm në pjesën e vendimit për dënimin dhe ia uli në katër vjet.
Pas tre vjet dhe një muaj Jankulloska doli nga burgu “Idrizovë”. fc/
Foto: Arkivi i MIA-s, Gordana Jankulloska në FB