• петок, 31 јануари 2025

Janë regjistruar 1.878 raste të reja me grip, virusi më aktiv në Kavadar dhe Dibër

Janë regjistruar 1.878  raste të reja me grip, virusi më aktiv në Kavadar dhe Dibër

Shkup, 30 janar 2025 (MIA) - Gjatë javës së katërt të vitit 2025 në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë raportuar 1.878 raste të të prekurve nga gripi/sëmundjet e ngjashme me gripin. Kjo përfaqëson 33 për qind më shumë se javën e kaluar. Krahasuar me javën e katërt të vitit të kaluar numri  është rritur për 2,4 për qind, ndërsa sa i përket modelit për 14 sezonet e fundit është regjistruar rritje prej 10,2 për qind. Incidenca e aktivitetit sezonal të virusit të gripit është mbi pragun sezonal, pra është tejkaluar pragu dhe kemi hyrë në sezonin e gripit, informuan sot pasdite nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP).

Sa i përket moshës, tek grupmosha 15-64 janë regjistruar 1.066 persona, tek grupmosha 5-14 – 349, tek grupmosha mbi 65 vjet – 138 dhe tek fëmijët nga 0-4 -325 raste. Incidencë më e lartë është regjistruar tek grupmosha 0-4 vjet (336,7/100.000)  ndërsa tek fëmijët nga 5-14 vjet (162,5/100.000).

Të sëmurët e kësaj jave janë regjistruar në 29 QSHP/NJR : Shkup – 581, Kavadar – 219, Kumanovë – 167, Strumicë – 162, Shtip – 106, ndërsa në të tjerat numri është më i vogël ose i barabartë me 100.

Në gjashtë njësi raportimi është regjistruar aktivitet shumë i ulët i virusit të gripit, në 10 sezonal, në 8 aktivitet mesatar, në 3 (Krushevë, Sveri Nikole dhe Kratovë) i lartë, ndërsa në 2 (Kavadar, Dibër) aktivitet shumë i lartë i gripit. 

“Ka një rritje të numrit të sëmundjeve të ngjashme me gripin, që është mbi kufirin javor për aktivitet mesatar. Rezultatet e marra nga mbikëqyrja virologjike i gripit tregojnë se ekziston një aktivitet gjeografik i përhapur i virusit të influencës. Norma e pozitivitetit ka qenë mbi 10 për qind për tre javë rresht. Sipas këtyre të dhënave, Republika e Maqedonisë së Veriut ka intensitet mesatar të virusit të gripit”, përfundojnë nga ISHP.

Për mbrojtje nga gripi, nga ISHP rekomandojnë të shmangni mbledhjen dhe qëndrimin në dhoma ku qëndrojnë më shumë njerëz, veçanërisht shmangni kontaktin e ngushtë me njerëz të sëmurë ose të dyshimtë – me kollë, teshtimë, temperaturë të lartë të trupit. 

“Lani duart shpesh me sapun dhe ujë ose dezinfektues. Mjediset e banimit mbani të ngrohura dhe ajrosni ato shpesh. Vishuni me veshje të ngrohta me shtresa dhe larje me ujë të ngrohtë. Konsumoni pije të ngrohta (çaj dhe supë), lëngje frutash dhe ujë me limon.  Hani produkte të freskëta të pasura me vitamina dhe minerale, më së miri fruta dhe perime që janë më të mira për trupin. Produktet e pasura me vitaminë C ( limon, portokall) janë ato që rekomandohen më shumë. Nëse produktet ushqimore të freskëta nuk janë gjithmonë në sispozicion, mund të përdoren edhe pije dhe preparate me multivitamina”, këshillojnë nga Instituti.

Rekomandohet edhe të bëni një stil jete dhe zakonesh të shëndetshme, pushoni dhe fleni mirë, ushqehuni shëndetshëm, bëni  aktivitetit fizik dhe ruajeni qetësinë  mendore dhe reduktoni stresin.

“Imuniteti i mirë i trupit do t'ju ndihmojë të qëndroni të shëndetshëm ose të përballeni më lehtë me gripin dhe sëmundjet e ngjashme me gripin. Megjithatë, edhe nëse jeni plotësisht i shëndetshëm dhe keni një sistem të fortë imunitar, prapëseprapë mund të infektoheni me grip ose një sëmundje të ngjashme me gripin”, bëjnë të ditur nga ISHP. 

Në rast të tillë, këshillojnë të qëndrojnë në shtëpi – të mos shkohet në punë, në shkollë ose në vende ku ka shumë njerëz. 

“Pushoni dhe konsumoni shumë lëngje dhe ushqime të lehta. Shmangni kontaktin e ngushtë me njerëzit me të cilët jetoni, mos pranoni vizitorë gjatë kohës që jeni të sëmurë. Mbuloni hundën dhe gojën me një fasuletë kur kolliteni dhe teshtini. Pas përdorimit, hidheni atë në koshin e plehrave. Mbani maskë mbrojtëse kur jeni në kontakt me të afërmit tuaj në shtëpi, kur kolliteni dhe teshtini. Praktikoni larjen e shpeshtë dhe të plotë të duarve me ujë të ngrohtë dhe sapun. Përdorni peceta të lagura që përmbajnë alkool ose dezinfektues duarsh. Shmangni prekjen e syve, hundës dhe gojës me duar. Ajrosni shpesh dhomën në të cilën qëndroni gjatë kohës që jeni të sëmurë. Mbani mjedisin tuaj të pastër – gjësendet, sipërfaqet me produkte higjienike shtëpiake. Nëse jeni mbi 65 vjeç ose keni sëmundje kronike, ose nëse simptomat e sëmundjes përkeqësohen ose zgjasin për disa ditë - kërkoni ndihmë nga mjeku”, këshillojnë nga ISHP.

Vaksinimi kundër gripit është mbrojtja më e mirë nga kjo sëmundje, prandaj Instituti i Shëndetit Publik e rekomandon atë për të gjithë popullatën, sidomos për personat që përkasin në grupet vullnerable, sipas rekomandimeve të OBSH-së. 

Deri në javën e katërt, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, janë vaksinuar gjithsej 72.357 persona me vaksinë falas ose komerciale kundër gripit. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

 

Остани поврзан