Izraeli njoftoi se po ndalon hyrjen e çdo lloj ndihme humanitare në Rripin e Gazës
- Izraeli sot njoftoi se po ndërpret qasjen në të gjitha ndihmat humanitare për popullatën palestineze në Rripin e Gazës.

Jerusalem, 2 mars 2025 (MIA) - Izraeli sot njoftoi se po ndërpret qasjen në të gjitha ndihmat humanitare për popullatën palestineze në Rripin e Gazës.
Vendimi është marrë nga kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu, thuhet në një deklarate zyrtare nga zyra e tij.
Në kumtesë nuk janë dhënë detaje, por paralajmëroi se do të kishte "pasoja të mëtejshme" nëse lëvizja palestineze Hamas nuk pranon planin e SHBA-së për të zgjatur armëpushimin midis Izraelit dhe Rripit të Gazës, raportuan agjencitë.
"Nuk ka armëpushim pa lirimin e pengjeve tanë", tha Netanjahu në një deklaratë të lëshuar nga zyra e tij.
Marrëveshja e armëpushimit ndërmjet palëve ndërluftuese hyri në fuqi më 19 janar. Faza e tij e parë përfundoi mbrëmë.
Izraeli dhe Hamasi ende nuk kanë rënë dakord për fazën e dytë.
Propozimi i të dërguarit të presidentit amerikan Donald Tramp për Lindjen e Mesme, Stiven Vitkof, është për një armëpushim të përkohshëm në Rripin e Gazës gjatë Ramazanit dhe Pesahut.
Sipas planit të Vitkof, gjysma e pengjeve izraelite që kanë mbetur në Gaza - të gjallë dhe të vdekur - do të lirohen në ditën e parë të fazës së dytë të armëpushimit. Hamasi pritet të dorëzojë pengjet e mbetura pasi të arrihet një armëpushim i përhershëm. sa/
Foto: Arkivi i MIA-s