• сабота, 21 февруари 2026

Izraeli ktheu 54 trupa dhe 66 kuti me mbetje njerëzore në Gazë

Izraeli ktheu 54 trupa dhe 66 kuti me mbetje njerëzore në Gazë

Tel Aviv, 5 shkurt 2026 (MIA) - Ministria e Shëndetësisë e Gazës dje publikoi se 54 trupa palestinezë dhe 66 kuti me mbetje njerëzore janë transferuar në Rripin e Gazës pasi Izraeli i dorëzoi, ndërsa dorëzimi u krye përmes Komitetit ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. 

Ministra kumtoi se trupat dhe mbetjet kanë mbërritur në kompleksin mjekësor Al-Shifa me automjete të Kryqit të Kuq, ku ekipet mjekësore menjëherë filluan me përpunimin mjeko-ligjor në përputhje me procedurat e miratuara mjekësore. 

Theksohet se në vijim është puna për përfundimin e procesit të ekzaminimit dhe dokumentimit në koordinim me organet kompetente dhe komitetet e specializuara, para se familjeve t'u lejohet të identifikojnë trupat sipas protokolleve të përcaktuara. 

Ushtria izraelite vazhdoi të shkelë marrëveshjen e armëpushimit me faza që hyri në fuqi më 10 tetor, pavarësisht njoftimit të SHBA-së në janar se faza e dytë ka filluar.

Kjo fazë përfshin tërheqje të mëtejshme të Izraelit nga Gaza dhe fillimin e përpjekjeve të rindërtimit, të cilat OKB-ja vlerëson se do të kushtojnë rreth 70 miliardë dollarë.

Armëpushimi i dha fund ofensivës dyvjeçare izraelite që filloi në tetor 2023 dhe ku e humbën jetën 72.000 palestinezë, kurse më shumë se 171.000 janë plagosur, ndërsa janë shkatërruar rreth 90 për qind e infrastrukturës së Gazës, sipas shifrave palestineze. ls/

Foto: Arkivi i EPA-s

 

 

Остани поврзан