• сабота, 22 февруари 2025

Izet Mexhiti: Vendimi i qeverisë për shkarkimin e Kocevskit erdhi pas shkeljeve të njëpasnjëshme ligjore

Izet Mexhiti: Vendimi i qeverisë për shkarkimin e Kocevskit erdhi pas shkeljeve të njëpasnjëshme ligjore

Shkup, 11 shkurt 2025

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka deklaruar se vendimi i qeverisë për të nisur procedurën për shkarkimin e kryeprokurorit Ljupço Kocevski ka ardhur si rezultat i shkeljeve të vazhdueshme ligjore nga ana e tij. Në një intervistë për edicionin qendror të lajmeve në Alsat M, Mexhiti theksoi tri elemente kyçe që kanë përcaktuar këtë vendim.

“Së pari, ky veprim është në përputhje me frymën e faktorit ndërkombëtar dhe partnerit strategjik, duke synuar ndërhyrjen aty ku ka shkelje. Së dyti, besimi i qytetarëve në sistemin gjyqësor është në nivelin më të ulët që nga vitet ’90 dhe pothuajse nuk ekziston më. Së treti, kryeprokurori Kocevski ka vijuar me shkelje ligjore të njëpasnjëshme, duke krijuar një situatë që e bënte të pashmangshme kërkesën për shkarkimin e tij,” deklaroi Mexhiti.

Sa i përket emrit të ri të kryeprokurorit, ai theksoi se duhet të jetë një profesionist që do të kontribuojë në rikthimin e besimit të qytetarëve në sundimin e ligjit.

Qeveria tashmë ka nisur procedurat për zëvendësimin e Kocevskit, ndërsa pritet që çështja të shqyrtohet nga organet përkatëse në ditët në vijim.

 

Izet Mexhiti: VLEN është për lista të hapura si në zgjedhjet lokale dhe ato parlamentare

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka deklaruar se listat e hapura duhet të jenë parimi kryesor jo vetëm për zgjedhjet lokale, por edhe për ato parlamentare. Në një intervistë për edicionin qendror të lajmeve në Alsat M, ai theksoi se ky model do të siguronte përfaqësim më të drejtë dhe më të afërt me vullnetin e qytetarëve.

“Ne jemi të mendimit se duhet të ketë lista të hapura, veçanërisht për këshilltarët, pasi kryetarët e komunave zgjidhen me modelin e shumicës. Ky sistem mund të shërbejë si një pilot projekt për zgjedhjet parlamentare, sepse është më i drejtë, më reprezentues dhe garanton që në institucione të zgjidhen ata që e kanë mbështetjen e qytetarëve,” deklaroi Mexhiti.

Çështja e reformës zgjedhore ka qenë temë e debatit politik në Maqedoninë e Veriut, me kërkesa të shumta për ndryshime që synojnë të forcojnë demokracinë dhe përfaqësimin e qytetarëve në institucione.

 

Izet Mexhiti: VLEN fitues absolut në zgjedhjet lokale, me lista dhe kandidatë të përbashkët

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka theksuar se koalicioni VLEN do të mbetet unik dhe i bashkuar edhe në zgjedhjet lokale, duke garuar me lista dhe kandidatë të përbashkët. Ai madje u shpreh optimist se do jenë fitues absolut të zgjedhjeve lokale. Në një intervistë për edicionin qendror të lajmeve në Alsat M, ai theksoi se bashkëpunimi i suksesshëm në zgjedhjet parlamentare do të vazhdojë edhe në nivel lokal.

“VLEN-i është unik, punojmë së bashku për realizimin e programit dhe platformës, ashtu siç kemi vepruar në zgjedhjet parlamentare kur sollëm rotacion politik në kampusin shqiptar. Ashtu siç kemi bërë ndarjen e listave të deputetëve dhe organeve në qeveri, nuk shoh pengesë apo telashe që ta bëjmë të njëjtën edhe në zgjedhjet lokale,” tha Mexhiti.

Ai theksoi se në zgjedhjet lokale, përveç konceptit politik, ka rëndësi edhe përzgjedhja e individëve më të mirë për të përfaqësuar qytetarët në nivel komunal. “Do të zgjedhim kandidatët më të mirë, pasi në zgjedhjet lokale votohet edhe për individin dhe jo vetëm për konceptin politik,” shtoi ai.

Me këtë qëndrim, Mexhiti konfirmoi vazhdimësinë e unitetit brenda VLEN-it, duke forcuar pozicionin e koalicionit si një alternativë e bashkuar për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

 

Izet Mexhiti: Në parim jemi marrë vesh për komunat përkatëse të zgjedhjeve lokale

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka deklaruar se koalicioni VLEN do të marrë vendime të mirëanalizuara për kandidatët në zgjedhjet lokale, duke respektuar parimin që partitë të garojnë aty ku tashmë udhëheqin me komunat.

“Parimisht, aty ku po udhëheqim për momentin me komunat, do të vazhdojnë kandidatët e partive përkatëse të koalicionit VLEN, por ende nuk është vendosur. Vendimet nuk i marrim duke u ngutur, por duke analizuar dhe debatuar për kandidatët më të mirë,” tha Mexhiti në një intervistë për Alsat M.

Ai sqaroi se në Tetovë dhe Zhelinë pritet të garojë Lëvizja BESA, në Gostivar Aleanca për Shqiptarët, ndërsa në Çair Lëvizja Demokratike. “Për komunat e tjera do të shohim kush si qëndron, cilët janë kandidatët dhe idetë që kanë, dhe në bazë të këtyre kritereve do të marrim vendimet përfundimtare,” shtoi ai.

Ky qëndrim konfirmon strategjinë e VLEN-it për një qasje të matur dhe të koordinuar në zgjedhjet lokale, duke synuar përfaqësim sa më të mirë të qytetarëve.

 

Izet Mexhiti: Jemi në fazën finale të harmonizimit të Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka bërë të ditur se brenda kësaj jave pritet të mbahet takimi i parafundit ose i fundit për harmonizimin e qëndrimeve mes VLEN-it, VMRO-DPMNE-së dhe ZNAM-it lidhur me Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.

“Në parim, i kemi përafruar qëndrimet dhe besoj se deri në fund të javës së ardhshme do të dalim me zgjidhjen ligjore ose me Ligjin e posaçëm për përfaqësimin adekuat dhe të drejtë të shqiptarëve, pasi deri më tani ky ka qenë vetëm një mekanizëm, por jo një zgjidhje e mirëfilltë ligjore,” deklaroi Mexhiti në një intervistë për Alsat M.

Ky proces vjen në kuadër të përpjekjeve për të garantuar përfaqësim më të drejtë të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera në institucionet shtetërore, duke kaluar nga zbatimi mekanik në një bazë të fortë ligjore.

 

Izet Mexhiti: Ndryshimet kushtetuese janë prioritet i lartë i VLEN-it, jemi në rrugë të mbarë

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka deklaruar se ndryshimet kushtetuese janë një nga prioritetet kryesore të koalicionit VLEN dhe se diskutimet me partnerët e qeverisë mbi këtë çështje janë të vazhdueshme.

“Nëse jo çdo ditë, çdo dytën ditë diskutojmë me partnerët e qeverisë për ndryshimet kushtetuese. Është ndër prioritetet më të larta të VLEN-it. Ne mundohemi ta luajmë rolin e lehtësuesit në këtë drejtim, bashkë me partnerët strategjikë, dhe mendoj se jemi në rrugë të mbarë,” deklaroi Mexhiti në një intervistë për Alsat M.

Ndryshimet kushtetuese janë një nga temat kyçe në agjendën politike të Maqedonisë së Veriut, veçanërisht në kontekstin e reformave që lidhen me proceset integruese dhe përfaqësimin e drejtë të komuniteteve.

Izet Mexhiti, kryetar i Lëvizjes Demokratike

_________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

Fotografia: Arkivi i MIA-s

Остани поврзан