• петок, 05 декември 2025

Hoxha: Për vetëm 50 nga 453 IPARD 3 marrëveshje të nënshkruara ka ngecje, organet kompetente t'i kryejnë kontrollet që të zbardhet rasti

Hoxha: Për vetëm 50 nga 453 IPARD 3 marrëveshje të nënshkruara ka ngecje, organet kompetente t'i kryejnë kontrollet që të zbardhet rasti

Shkup, 18 shkurt 2025 (MIA) - Për vetëm 50 nga 453 marrëveshje IPARD të nënshkruara ka ngecje, pasi duhet të konfirmohet nëse janë të lidhura me ndonjë vepër penale, siç flitet në media. Apelojmë deri te të gjitha institucionet t'i kryejnë kontrollet që rasti të zbardhet. Nuk do të hyjë në detaje të hetimeve të cilat po zhvillohen, do ua lëmë organeve ta thonë këtë, tha sot zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Albrim Hoxha nga foltorja e Kuvendit.

Duke iu përgjigjur pyetjes së parashtruar nga deputeti i LSDM-së dhe ish ministri i Bujqësisë, Lupço Nikollovski, Hoxha tha se BE-ja e ka përshëndetur reagimin e shpejtë të institucioneve shtetërore lidhur me rastin IPARD 3.

Nikollovski fillimisht kërkoi dorëheqjen e ministrit aktual të Bujqësisë, Cvetan Tripunovski, por meqë Tripunovski nuk ishte i pranishëm në seancën e Kuvendit, ai e pyeti zëvendësministrin pse Agjencisë pagesore i duheshin 18 muaj për të zbatuar një thirrje IPARD 3 me 107 aplikime, kur e njëjta thirrje, por nga IPARD 2 u zbatua vetëm në katër muaj.

"Ju ishit ministër në një qeveri që njihej për skandalet e përditshme, por këtë herë e mira është se ka një reagim nga institucionet. Derisa ju e drejtonit ministrinë e keni anashkaluar Agjencinë për përkrahje financiare në bujqësi duke themeluar komisione tre anëtarëshe jashtë çdo procedure ligjore, vetëm për të ndarë grante prej 10 mijë eurosh për ata që quhen verari shtëpiake. Ne jemi në kontakt të rregullt me ​​partnerët tanë të BE-së në lidhje me këtë rast dhe e mira është se ata mirëpresin reagimin e shpejtë të institucioneve. Qeveria ka emëruar drejtore të re, Daniela Irotovën, një profesioniste e dëshmuar me përvojë të madhe që e njeh mirë institucionin në fjalë dhe Ministrinë Bujqësisë, ish sekretare shtetërore dhe kryesuese e Komitetit për ndjekje të IPARD programit 2021-2027”, tha Hoxha.

Ai i tha Nikollovskit se menjëherë pas seancës do t'i japë përgjigje me shkrim për të gjitha pyetjet e bëra.

"Do të jap përgjigje me shkrim menjëherë pas seancës, vetëm për t'i kujtuar Nikollovskit se MBPEU ka iniciuar disa procedura në Prokurori për punën e tij gjatë kohës që ishte ministër. Kur ju drejtonit MBPEU-në, formuat komisione me tre anëtarë jashtë të gjitha procedurave ligjore vetëm për të siguruar grante prej 10.000 eurosh për prodhimin e verës", theksoi Hoxha dhe numëroi se çfarë është punuar në 15 muajt e fundit, që kur erdhi në pushtet menaxhmenti i ri i MBPEU-së, përfshirë, siç tha ai, “pagesën e plotë të borxheve të subvencioneve, të lëna nga qeveria paraprake”. 

Nikollovski nuk ishte i kënaqur me përgjigjen e zëvendësministrit, ndërsa në lidhje me akuzat e bëra, i tha se është gati menjëherë të shkojnë në Prokurori.

Sipas tij, nuk është e vërtetë as ajo që e pohon zëvendësministri, se vetëm 50 nga 453 kontratat e nënshkruara IPARD 3 kanë ngecje.

"Edhe një kontratë të është në pyetje, një investim, një person që pret paratë, kjo duhet të jetë objekt i diskutimit juaj në Qeveri. Dhe nuk është e vërtetë se janë nënshkruar 50, 453 kontrata janë lidhur, ndërsa 180 nuk janë paguar. Në mënyrë shtesë, ju keni shkarkuar 40 për qind të stafit drejtues, gjë që është vërejtur nga BE-ja", theksoi Nikollovski.

Ilija Stoilev, i cili kryente funksionin e drejtorit të Agjencisë pagesore, u arrestua më 6 nëntor me dyshim për marrje ryshfeti dhe pastaj u shkarkua nga pozicioni i tij. Dje, ministri i Bujqësisë, Cvetan Tripunovski njoftoi se drejtoresha e re e Agjencisë pagesore është Daniella Llazarova Irotova, ish-këshilltare shtetërore në Ministrinë e Bujqësisë. bsh/

 

Остани поврзан