• четврток, 11 декември 2025

Halil Snopçe: Buxheti i vitit të ardhshëm nuk garanton progres – rrezikojmë regres ekonomik

Halil Snopçe: Buxheti i vitit të ardhshëm nuk garanton progres – rrezikojmë regres ekonomik

10 dhjetor 2025 

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, gjatë diskutimit për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm në seancen parlamentare, ka shprehur shqetësimin e tij  për mënyrën se si Qeveria planifikon t’i menaxhojë mjetet publike, theksohet në komunikatë, të cilën MIA e transmeton në formë integrale.

Snopçe u shpreh se dokumenti më i rëndësishëm financiar i shtetit “nuk premton as progres, madje as ruajtje të status quo-së, por bart rrezik real për regres”. Ai vuri në dukje se projektbuxheti, pa hyrë në detaje dhe parametra konkretë, nuk ofron zhvillim të mirëfilltë ekonomik dhe nuk garanton përmirësim të jetesës së qytetarëve.

“Ky është dokumenti kryesor i një shteti, dhe nga mënyra se si planifikohen shpenzimet publike varet drejtpërdrejt e ardhmja ekonomike e qytetarëve. Për fat të keq, ky projektbuxhet nuk sjell optimizëm. Shpresoj sinqerisht të demantohem, dhe kush ka të drejtë, do të shihet së shpejti”, deklaroi Snopçe.

Deputeti i ASH-së theksoi se qytetarët meritojnë politika fiskale të përgjegjshme dhe një qasje të orientuar drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.

Остани поврзан