• петок, 05 декември 2025

Grosi: Për centralin bërthamor Zaporozhje duhet marrëveshje e veçantë

Grosi: Për centralin bërthamor Zaporozhje duhet marrëveshje e veçantë

Gjenevë, 25 nëntor 2025 (MIA) - Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB), Rafael Grosi, sot deklaroi se centrali bërthamor Zaporozhje do të ketë nevojë për "status të veçantë" dhe marrëveshje për bashkëpunim mes Rusisë dhe Ukrainës në rast të arritjes së marrëveshjes paqësore.

Komentet e tij vijnë në momentin kur administrata e presidentit amerikan Donald Tramp sërish bën përpjekje intensive për t'i dhënë fund luftës.

Forcat ruse e morën centralin më të madh bërthamor evropian me gjashtë reaktorë në javët e para të pushtimit të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Objekti aktualisht nuk prodhon energji elektrike, ndërsa të dyja palët akuzojnë rregullisht njëra tjetrën për veprime ushtarake të cilat e rrezikojnë sigurinë bërthamore.

Grosi theksoi se bashkëpunimi do të jetë i rëndësishëm, pa dallim se kush e kontrollon centralin në të ardhmen.

"Në cilëndo anë të vijës të përfundon, do të duhet të keni një marrëveshje bashkëpunimi ose një atmosferë bashkëpunuese", tha ai.

Ai paralajmëroi se pa paqe ekziston një rrezik i përhershëm nga ndonjë aksident bërthamor.

"Derisa të ndalet lufta, ose derisa të ketë një armëpushim, ose derisa armët të heshtin, gjithmonë ekziston mundësia që diçka të shkojë shumë, shumë keq", tha Grosi.

"Asnjë operator i vetëm nuk mund të operojë një central bërthamor kur ka një vend tjetër përtej lumit që e kundërshton atë dhe mund të ndërmarrë veprime kundër tij", shtoi shefi i ANEB-it. sa/

Foto: MIA arkivi

Остани поврзан