Gostivari dhe Gjilani arritën marrëveshje për zbatimin e përbashkët të projektit nga programi IPA 3
- – Në takimin e fundit të kryetarëve të komunës Gostivar, Valbon Limani dhe të komunës Gjilan, Alban Hyseni është arritur marrëveshje për zbatimin e përbashkët të projektit të financuar nga programi IPA 3.

Gostivar, 11 shkurt 2025 (MIA) – Në takimin e fundit të kryetarëve të komunës Gostivar, Valbon Limani dhe të komunës Gjilan, Alban Hyseni është arritur marrëveshje për zbatimin e përbashkët të projektit të financuar nga programi IPA 3.
Sipas informacioneve nga Komuna Gostivar bëhet fjalë për projekt i cili ka për qëllim përmirësimin e qëndrueshmërisë ekologjike, uljen e ndikimit të ndryshimeve klimatike dhe rritje të cilësisë të jetës së qytetarëve në të dyja komunat.
Kryetari Limani vlerëson se me marrëveshjen e arritur bëhet hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe bashkëpunimit rajonal.
“Ky projekt është dëshmi për përkushtimin tonë drejt një të ardhme më të pastër dhe më të shëndoshë për qytetarët tanë. Bashkëpunimi me Gjilanin do të sjellë ndryshime reale në cilësinë e jetës dhe do të vendosë model të suksesshëm për bashkëpunimin ndërkufitar”, deklaroi Limani.
Aktivitetet kryesore në kuadër të kësaj nisme përfshijnë zhvillim të infrastrukturës së pranueshme të gjelbër dhe ekologjike – Komuna Gostivar do të fillojë kalim nga sistemet tradicionale për ngrohje me karburante fosile drejt përdorimit të pompave të ngrohjes, me çka do të ulet ndotja e ajrit. Në ndërkohë, në Komunën e Gjilanit do të krijohen sipërfaqe të gjelbra urbane me qëllim të përmirësimit të cilësisë së ajrit dhe mjedisit jetësor.
Sipas paralajmërimeve, projekti i përbashkët Gostivar – Gjilan është nismë e rëndësishme në kuadër të programit IPA 3, ndërsa zbatimi i tij pritet të fillojë në muajt e ardhshëm. fc/
Fotografia: Komuna Gostivar