• петок, 05 декември 2025

Gjykata solli vendim për bashkimin e procedurave për zjarrin në Koçan dhe për agjencinë "Rubikon", e cila siguronte diskotekën "Puls"

Gjykata solli vendim për bashkimin e procedurave për zjarrin në Koçan dhe për agjencinë

Shkup, 19 nëntor 2025 (MIA) - Gjykata Themelore Penale Shkup në fillimin e gjykimit të sotëm për tragjedinë në diskotekën "Puls" në Koçan vendosi që procedura për këtë rast të bashkohet me procedurën kundër pronarit të "Rubikon", agjencia që ka ofruar sigurimin për diskotekën "Puls". 

Në sallën e stërmbushur në INP Idrizovë, nën masa të shtuara sigurie, sot filloi gjykimi për zjarrin në diskotekën "Puls" në Koçan. Përveç të pandehurve, janë të pranishëm edhe familjarët e 63 viktimave që humbën jetën në tragjedinë e ndodhur më 16 mars, përfaqësues të prokurorisë, të mbrojtjes, dhe gazetarë. 

Tetë muaj pas tragjedisë, në bankën e të akuzuarve u ulën 38 të akuzuar, prej të cilëve 35 persona fizik dhe tre jurudikë. Mes tyre ka pronarë lokalesh, menaxherë, inspektorë, ish-kryetar komunash, anëtarë të sigurimit dhe zyrtarë shtetërorë. 

Gjykata Themelore Penale Shkup, në tetor të këtij viti miratoi në tërësi aktakuzën shtesë lidhur me zjarrin në diskotekën "Puls" në Koçan, kundër Aleksandar Nacev – pronar real dhe person përgjegjës i agjencisë së sigurimit "Rubikon sekjuriti solushën" SHPKNJP Shkup. Ai ngarkohet për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme, për shkak të mangësive serioze në organizimin dhe zbatimin e masave të sigurisë në objekt.

Sipas aktakuzës, Nacev ngarkohet për kontribut të veçantë në tragjedi, pasi së bashku me të tjerët tashmë të akuzuar dhe persona të panjohur, nuk veproi sipas rregullave dhe standardeve teknike të sigurisë, duke krijuar rrezik për jetën dhe trupin e njerëzve, si dhe për pronën në shkallë të madhe.

Në periudhën kritike nga shtatori i vitit 2022 deri në ditën e zjarrit, Nacev në fakt drejtonte agjencinë, së bashku me menaxherin, pa respektuar detyrimet ligjore sipas Ligjit për sigurimin privat. Agjencia nuk mori masa për parandalimin dhe zbulimin e rreziqeve, nuk nënshkroi kontratë me shkrim me "Klub Puls", dhe nuk ushtroi kujdes, kontroll dhe mbikëqyrje mbi punën e siguruesve.

Në ditën kritike, tre punonjës të licencuar dhe një i palicencuar ishin përgjegjës për sigurimin e objektit, pa kryer vlerësim paraprak së sigurisë, pa kontrolluar kushtet e sigurisë, daljet emergjente dhe mundësit e evakuimit. Objekti ishte i stërmbushur, dhe nuk ishte përgatitur as dorëzuar Plani i sigurimit për një ngjarje me numër të madh vizitorësh. 

Për më tepër, punonjësit nuk kanë kryer kontroll në identitetin dhe moshën e vizitorëve, duke lejuar hyrjen e të miturve pas mesnate. Nuk është kryer as kontrolli i personave gjatë hyrjes, gjë që mundësoi futjen e mjeteve piroteknike – shkaktari direkt i zjarrit.

Hetimi ka treguar se Nacev jepte udhëzime direkte punonjësve të sigurimit të angazhuar në mbrëmjen kritike. Pas tragjedisë, ai themeloi një agjenci të re sigurimi në Strumicë, të cilën prokuroria e konsideron si një përpjekje për të vazhduar aktivitetin, duke u fshehur formalisht pas një personi tjetër përgjegjës. qa/

Фото: МИА 

 

Остани поврзан