Gjorgjievski: Nga e hëna, 55 autobusë privatë do ta përforcojnë transportin publik në Shkup
- Që nga e hëna, në Shkup do të qarkullojnë 55 autobusë privatë, deri në vitin e ri edhe 20 autobusë privatë, ndërsa në mars, me mbështetjen e Qeverisë, do të blihen 80 autobusë të rinj, njoftoi sot kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.
Shkup, 7 nëntor 2025 (MIA) - Që nga e hëna, në Shkup do të qarkullojnë 55 autobusë privatë, deri në vitin e ri edhe 20 autobusë privatë, ndërsa në mars, me mbështetjen e Qeverisë, do të blihen 80 autobusë të rinj, njoftoi sot kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.
Ai nga parkingu përpara sallës "Boris Trajkovski", paralajmëroi përmirësime në transportin publik, përfshirë rikthimin e transportuesve privatë në sistemin e transportit publik.
"Siç premtova gjatë fushatës zgjedhore, kemi filluar me aktivitetet për pastrimin e qytetit dhe zgjidhjen e problemeve kyçe të qytetarëve. Një nga këto aktivitete është ripërfshirja e transportuesve privatë në transportin publik", theksoi Gjorgjievski.
Sipas tij, për më pak se 48 orë nga marrja e detyrës, u arrit një marrëveshje dhe u nënshkruan licencat për 55 autobusë privatë, të cilët do të fillojnë të operojnë nga e hëna.
"Përveç kësaj, deri në vitin e ri, nga sa jam informuar nga operatorët privatë të transportit, do të përfshihen të paktën 20 autobusë të tjerë. Që do të thotë se transporti urban do të normalizohet plotësisht për bashkëqytetarët tanë. Ne marrim parasysh se edhe diku rreth marsit, në koordinim me Qeverinë, presim të mbërrijnë 80 autobusë të rinj. Do ta normalizojmë plotësisht transportin urban. Ky është fillimi i zgjidhjes së kaosit në trafik dhe krijimit të alternativave për qytetarët", theksoi Gjorgjievski.
Kryetari i Qytetit të Shkupit paralajmëroi se disa nga linjat do të operohen nga transportues privatë, disa do të kombinohen me NQP-në, por nuk do të hiqen linja nga NQP. Do të ketë një rishikim të orarit dhe linjave, të cilat, siç tha, nuk kanë ndryshuar për dekada të tëra.
Gjorgievski theksoi se gjendja financiare e qytetit është serioze, me vetëm 40 milionë denarë në llogari dhe borxhe të konsiderueshme të ndërmarrjeve publike. Megjithatë, ai paralajmëroi përpjekje për stabilizim dhe pagesë të rregullt të detyrimeve.
Lidhur me largimet nga puna të punonjësve që nuk janë paraqitur në punë, kryetari i qytetit zbuloi se në ndërmarrjet publike ka keqpërdorime të mëdha.
"Dje kishim një listë prej 371 personash që marrin pagë, por nuk paraqiten në punë. Sot ky numër është 398, dhe pres që të arrijë në 500. Kjo është të paktën 5 milionë euro në vit, ose 20 milionë euro në 4 vjet, para që mund të ishin investuar në projekte si një park argëtimi për Shkupin", theksoi Gjorgjievski.
Ai u bëri thirrje institucioneve kompetente që të përfshihen dhe të hetojnë rastet, duke shtuar se do të kërkojë përgjegjësi nga të gjithë ata që kanë nënshkruar për keqpërdorime të tilla.
“Pavarësisht përkatësisë partiake, fetare apo kombëtare, është detyra ime të kujdesem për çdo denar të qytetarëve”, përfundoi Gjorgjievski.
Përfaqësuesi i transportuesve privatë, Jovica Zafirovski, tha se transportuesit privatë janë një pjesë shumë e rëndësishme e transportit publik në qytetin e Shkupit.
"Në periudhën e kaluar kemi punuar seriozisht në ripërtëritjen e parkut vozitës, kemi autobusë ekologjikë dhe jemi të gatshëm t'u përgjigjemi nevojave të qytetarëve", theksoi Zafirovski.
Ai theksoi se komunikimi me kryetarin e qytetit të Shkupit Gjorgjievski është i shkëlqyer dhe se pret punë të përbashkët në përmirësimin e orarit të vozitjes dhe projekteve të tjera që lidhen me transportin publik.
"Shumë shpejt do të kemi një orar të rregullt të autobusëve, qytetarët nuk do të duhet të presin. Siç është shkruar në tabelat informuese, ashtu autobusët do të mbërrijnë. Kjo është ajo që u duhet qytetarëve, autobusë të rregullt, në kohë, ekologjikë, të pastër dhe të klimatizuar, shtoi Zafirovski.
Në pyetjen e një gazetari për borxhin e NQP-së ndaj transportuesve privatë, ai tha se ai arrin në 170-180 milionë denarë. ls/
Foto: MIA