Gjashtë viktima në vendin e punës gjatë këtij viti, fillon projekti për mbrojtje më të mirë të punëtorëve
- – Në nivel vjetor, regjistrohen mbi 2,9 milionë raste të vdekjes dhe 400 milionë lëndime në vendet e punës, që shkakton humbje ekonomike prej rreth 4 për qind të PBB-së botëror. Në Bashkimin Evropian, këto shpenzime vlerësohen në 460 miliardë euro, ose 3,3 për qind të PBB-së. Nëse zbatohen këto përqindje në shtetin tonë, humbjet ekonomike nga aksidentet gjatë punës do të ishin 500–600 milionë euro në vit. Në Maqedoni këtë vit deri në shtator, në vendin e punës jetën e humbën gjashtë punëtorë.
Shkup, 11 nëntor 2025 (MIA) – Në nivel vjetor, regjistrohen mbi 2,9 milionë raste të vdekjes dhe 400 milionë lëndime në vendet e punës, që shkakton humbje ekonomike prej rreth 4 për qind të PBB-së botëror. Në Bashkimin Evropian, këto shpenzime vlerësohen në 460 miliardë euro, ose 3,3 për qind të PBB-së. Nëse zbatohen këto përqindje në shtetin tonë, humbjet ekonomike nga aksidentet gjatë punës do të ishin 500–600 milionë euro në vit. Në Maqedoni këtë vit deri në shtator, në vendin e punës jetën e humbën gjashtë punëtorë.
Këto të dhëna sot ishin prezantuar në fillimin e projektit “Drejt mjedisit të sigurt dhe të shëndetshëm të punës në Maqedoninë e Veriut”, i cili do të realizohet deri në tetor të vitit 2028, në organizim të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ONP), ndërsa me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian.
“Siguria dhe shëndeti nuk janë vetëm kategori teknike ose administrative. Ato janë të drejta themelore të njeriut dhe një tregues se sa një shoqëri kujdeset vërtet për njerëzit e saj. Ato pasqyrojnë pjekurinë e një vendi, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në atë moral dhe institucional. Situata në vendin tonë nuk është në nivelin që aspirojmë, të dhënat tregojnë se numri i lëndimeve në punë është ende i lartë. Prandaj, duhet të punojmë për përmirësim sistematik", theksoi zëvendëskryeministri Lupço Dimovski, duke theksuar se Qeveria mbetet e përkushtuar për krijimin e vendeve të sigurta dhe dinjitoze të punës.
Sipas ministrit të Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale ende janë problem serioz, veçanërisht në ndërtimtari, bujqësi, transport dhe industrinë përpunuese.
“Bëhet fjalë për jetë njerëzish dhe familje të cilat vuajnë. Për këtë qëllimi ynë është i qartë, të ndërtojmë sistem i cili nuk reagon vetëm pas ngjarjes, por parasheh, parandalon dhe mbron”, theksoi Durmishi.
Ai theksoi se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka vendosur sigurinë dhe shëndetin në punë si një nga prioritetet e politikave të punës. Por, ligjet vetvetiu nuk mjaftojnë, tha ai dhe shtoi se nevojiten institucione funksionale, inspektime dhe trajnime të vazhdueshme.
Sipas tij, vizioni është që Maqedonia të bëhet vend me vende pune të sigurta, punëtorë të trajnuar dhe të mbrojtur, dhe punëdhënës që e kuptojnë se një investim në mbrojtje është një investim në produktivitet dhe sukses.
“Ky projekt është investim në të ardhmen në të cilën siguria do të jetë themel i prosperitetit, e jo pengesë e tij”, shtoi ministri.
Sipas kryetarit të LSM-së, Sllobodan Trendafillov, ky projekt duhet ti nxisë të gjitha institucionet të fillojnë nga vetja dhe të bëhen ndryshime në pjesën e sigurisë dhe shëndetit gjatë punës.
Qëllimi, tha ai, është të ulet numri i aksidenteve me pasoja fatale dhe bëri thirrje që aktivitetet të vazhdojnë edhe pas përfundimit të projektit, të mos jetë vetëm, siç tha, “projekt i zbatuar dhe mjete të shpenzuara”, por të krijojmë sistem të qëndrueshëm.
Kryetarja e Këshillit për Siguri dhe Shëndet Gjatë Punës, Jasmina Çalloska, porositi se nuk guxon të flitet për siguri dhe shëndet gjatë punës vetëm kur të ndodh ndonjë tragjedi.
Këshilltari në Delegacionin e BE-së në vend, Aleksandar Albu, potencoi se projekti është hap drejt harmonizimit me standardet evropiane.
Drejtoresha e DWT/CO Kler Hartsi Peru përmes një video porosie theksoi se suksesi i ekonomisë varet nga vlerësimi i shëndetit të njerëzve dhe se ky projekt i bashkon të gjithë, gjegjësisht Qeverinë, sindikatat dhe punëdhënësit në krijimin e vendeve të punës të sigurta dhe produktive.
Koordinatorja rajonale e KB-së, Rita Kolumbia, e lidhi projektin me qëllimet globale dhe theksoi se siguria gjatë punës është parakusht për punë dinjitoze dhe drejtësi sociale dhe se Maqedonia po bën hap të rëndësishëm drejt realizimit të standardeve ndërkombëtare.
Drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Punës, Gani Maksuti informoi se për dallim nga viti i kaluar kur ka pasur 13 viktima të cilët pësuan gjatë punës, këtë vit deri në shtator ka pasur gjashtë punëtorë të cilët humbën jetën gjatë kryerjes së detyrave të tyre të punës.
Projekti parasheh përgatitje të Strategjisë Kombëtare për SSHP 2026–2030, harmonizim me standardet e ONP-së dhe BE-së, modernizim dhe digjitalizim të sistemit inspektues, Sistem kombëtar të TI-së për lëndime dhe sëmundje, mbështetje për partnerët socialë dhe fushata dhe integrim të SSHP në arsim. fc/
Foto: MIA