Fon der Lajeni: GJPN duhet të jetë në gjendje të luftojë lirisht kundër mosndëshkimit në mbarë botën
- Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJPN) duhet të jetë në gjendje të luftojë kundër mosndëshkimit në mbarë botën pa kurrfarë pengesa, deklaroi kryetarja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajeni.

Bruksel, 7 shkurt 2025 (MIA) - Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJPN) duhet të jetë në gjendje të luftojë kundër mosndëshkimit në mbarë botën pa kurrfarë pengesa, deklaroi kryetarja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajeni.
"GJPN garanton përgjegjësi për krimet (kundër ligjit ndërkombëtar) dhe siguron një platformë për viktimat nga e gjithë bota. Duhet të jetë në gjendje të luftojë lirisht luftën kundër mosndëshkimit në mbarë botën. Evropa gjithmonë do të luftojë për drejtësi dhe respektim të së drejtës ndërkombëtare", ka shkruar ajo në rrjetet sociale.
Presidenti amerikan Donald Trampi mbrëmë nënshkroi urdhër ekzekutiv për vendosjen e sanksioneve kundër GJPN-së. Në Dekret thuhet se Gjykata ka ndërmarrë veprime të paligjshme dhe të pajustifikuara kundër Amerikës dhe aleatit të saj të ngushtë Izraelit, duke pasur parasysh hetimet e GJPN-së për krimet e supozuara të luftës të kryera nga ushtarët amerikanë në Afganistan dhe nga ushtarët izraelitë në Rripin e Gazës.
Izraeli e përshëndeti dekretin, ndërsa Hungaria anëtare e BE-së e përshkroi pozicionin e SHBA-së si plotësisht të kuptueshëm dhe shtoi se do të rishikonte qëndrimin e vet ndaj Gjykatës.
Kolegu i Fon der Lajenit në institucionet evropiane, kryetari i Këshillit Evropian Antonio Koshta, e përshkroi dekretin e liderit amerikan si një "kërcënim" për pavarësinë e Gjykatës.
Foto: Arkivi i MIA-s