• сабота, 22 февруари 2025

Filipçe: Nuk guxojmë të lejojmë që drejtësinë të cilën e kërkojnë qytetarët të shndërrohet në partizim të ri

Filipçe: Nuk guxojmë të lejojmë që drejtësinë të cilën e kërkojnë qytetarët të shndërrohet në partizim të ri

Shkup, 6 shkurt 2025 (MIA) – Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe doli me reagim për paralajmërimin e kryeministrit Hristian Mickoski se deputetët e VMRO-DPMNE-së do të parashtrojnë nismë për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor. 

“Nevojiten reforma themelore në gjyqësor dhe këtë e presin qytetarët. Por, reforma të cilat do të nënkuptojnë gjyqësor të pavarur dhe efikas i cili do të sigurojë drejtësi. Nuk guxojmë të lejojmë që drejtësia të cilën e kërkojnë qytetarët të shndërrohet në partizim të ri dhe okupim përmes ndryshimit të Këshillit Gjyqësor nga ana e pushtetit”, njoftoi Filipçe në faqen e tij në Fejsbuk.

Ai bën të ditur se LSDM kërkon që hapat dhe reformat e ardhshme në gjyqësor të bëhen me konsensus të të gjitha partive në Kuvend. 

“Nevojitet qasje kombëtare, mbipartiake e cila do të sigurojë reforma në bazë të rekomandimeve evropiane. Për këtë është i nevojshëm formimi i punës së përbashkët në grup në Kuvend e cila do t’i definojë, kontrollojë dhe bashkërisht zbatojë reformat në këtë segment të ndjeshëm. Nëse VMRO-DPMNE ka qëllim të sinqert, do ta pranojë këtë. Në të kundërtën do të duket se kanë qëllime krejt të ndryshme”, shkroi Filipçe në Fejsbuk.

Paraprakisht, kryeministri paralajmëroi se deputetët e VMRO-DPMNE-së do të parashtrojnë nismë për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor. 

“Shteti dhe qytetarët kanë nevojë për drejtësi dhe drejtësia mund të arrihet përmes reformave të thella dhe ndryshimeve serioze në ndryshim nga praktikat e deritanishme të keqpërdorimit që kanë hedhur rrënjë të thella në sistem. Maqedonia duhet të luftojë kundër kënetës së saj të korruptuar që e mban rob dhe peng dhe është shkaku i rënies dhe zhgënjimit të shumë qytetarëve të saj. Prandaj, deputetët e VMRO-DPMNE-së do të parashtrojnë nismë për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, i cili, për bindjen time të thellë, është pjesë e sistemit që mbetet bastioni kryesor i korrupsionit, padrejtësisë dhe zhgënjimit. Maqedonia duhet të fitojë!, është bërë e ditur në profilin zyrtar në Fejsbuk të kryeministrit Mickoski.

Zbatimi i reformave thelbësore në gjyqësor dhe shpërbërja e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë, ishte një nga premtimet në programin parazgjedhor dhe prioritet kyç i Qeverisë së re të kryesuar nga VMRO-DPMNE. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

 

Остани поврзан