Fetai: VLEN nuk është BDI, ja pse merremi me ta
- Zëvendëskryeministri dhe njëri nga liderët e VLEN, Arben Fetai ka dhënë përgjigje rreth asaj se pse merren me BDI-në, parti që tashmë është në opozitë.
Shkup, 10 shkurt 2026
Zëvendëskryeministri dhe njëri nga liderët e VLEN, Arben Fetai ka dhënë përgjigje rreth asaj se pse merren me BDI-në, parti që tashmë është në opozitë.
Sipas Fetait, kemi të bëjmë me një parti që plot 20 vjet ka sunduar mbi fatin e shqiptarëve dhe e cila ka lënë një grumbull problemesh të pazgjidhura, ndërkohë që VLEN-it i ka ra hise t’i zgjedhë të njëjtat.
“Po pyesin pse po merreni me “BDI”, kur ju jeni në qeveri. E para, nuk merremi me BDI sepse realisht kemi plot punë të mira që i komunikojmë me opinionin. Më e reja, 40 për qind rritje e pagës në administratë nga muaji mars e tutje. Por një gjë duhet ta dimë të gjithë, BDI nuk është parti normale. Pra, kemi të bëjmë me një parti që plot 20 vjet ka sunduar mbi fatin e shqiptarëve në këtë vend. Tekstualisht ka sunduar, nuk ka qeverisur, ndërkaq uni për pushtet ua ka pushtuar arsyen”, thekson Fetai në një postim në Fejsbuk.
E dyta, shton ai, nuk kemi të bëjmë me një parti që e pranon realitetin dhe siç shton, jetojnë në një botë të cilën vetë e kanë krijuar, për shkak të jetëgjatësisë në pushtet, se vetëm ata janë “mbrojtësit e shqiptarisë”.
“Ndërsa ne të gjithë e dimë se ‘bedeli’ i Ali Ahmetit nuk është në listë të zezë për shqiptari, por për hajni. E treta, ata refuzojnë ta kuptojnë fjalën “reformë”. Kanë problem me këtë fjalë. Dhe këtë pjesë nuk e themi se na intereson, por për sqarim të opinionit ndaj pyetjes që e shtrojnë, pse VLEN po merret me BDI”, thekson Fetai.
E vërteta sipas tij është se për shkak të një pushteti 20-vjeçar që pas vetes ka lënë një grumbull problemesh të pazgjidhura, na ka rënë në hise neve që, një nga një, t’i hapim dosjet dhe, sa të mundemi, t’i zgjidhim.
“A ka sfida? Sigurisht që ka. A ka probleme? Sigurisht që ka. Mirëpo VLEN nuk është BDI, që e pati humbur kontaktin me realitetin aq sa në vitin 2014, me 152 mijë vota, deshën luanin ta bëjnë simbol të shqiptarëve, sepse ashtu ishte marrë vesh Aliu me Gruevskin”, thekson mes tjerash zv/kryeministri Fetai.
Arben Fetai
_______________________________________________________________________________
MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.
Foto: Arkivi i MIA-s