Fetai: Propozimi për shkarkimin e prokurorit shtetëror Kocevski është shpjeguar mirë, pres të kalojë në Kuvend
- Mendoj se i gjithë problemi rreth korrupsionit në nivel të lartë qëndron në sistemin gjyqësor. Për këtë edhe është ngritur nisma për shkarkimin e prokurorit publik. Mendoj se sistemi gjyqësor duhet të reformohet. Punojmë në atë drejtim me partnerët tanë, deklaroi sot zëvendëskryetari i Qeverisë përgjegjës për Politika të Qeverisjes së Mirë, Arben Fetai, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve gjatë Forumit Rajonal “Nga politika në impakt: Avancimi i integritetit dhe reformave institucionale në Ballkanin Perëndimor”.
Shkup, 10 dhjetor 2025 (MIA) – Mendoj se i gjithë problemi rreth korrupsionit në nivel të lartë qëndron në sistemin gjyqësor. Për këtë edhe është ngritur nisma për shkarkimin e prokurorit publik. Mendoj se sistemi gjyqësor duhet të reformohet. Punojmë në atë drejtim me partnerët tanë, deklaroi sot zëvendëskryetari i Qeverisë përgjegjës për Politika të Qeverisjes së Mirë, Arben Fetai, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve gjatë Forumit Rajonal “Nga politika në impakt: Avancimi i integritetit dhe reformave institucionale në Ballkanin Perëndimor”.
“E dini që patëm problem edhe me Komisionin për Antikorrupsion, tani kemi kryetar të ri atje dhe besoj se në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha institucionet - Qeverinë, Kuvendin, organet kundër korrupsionit dhe sistemin gjyqësor, do ta luftojmë korrupsionin në nivel të lartë. Do të kërkojmë gjithashtu që të ketë vendime gjyqësore, konfiskim të pronës. Shpresoj që me strategjinë e re që duhet të miratohet kundër korrupsionit, do të kemi rezultate më të mira, do të kemi raporte tremujore dhe në fund do të marrim raport pozitiv nga Komisioni Evropian”, u përgjigj ai në pyetjen e gazetarëve.
I pyetur rreth shkarkimit të prokurorit publik, Lupço Kocevski ai theksoi se vendimi për atë është marrë në mbledhje të Qeverisë, se ai është shpjeguar mirë dhe pret të miratohet në Kuvend.
“Po, në seancën e mbajtur të qeverisë, morëm vendim për të filluar procedurën për shkarkimin e prokurorit publik për arsye të njohura. Pra, ekziston një shpjegim i mirë që është dërguar si propozim në Kuvend. Tani topi është në duart e Kuvendit dhe shpresoj që brenda afateve të përcaktuara ligjore Kuvendi do të veprojë për shkarkimin e tij”, u përgjigj Fetai.
Qeveria në mbledhjen e djeshme e miratoi propozimin për shkarkimin e prokurorit publik shtetëror, Lupço Kocevski, të cilin do ta dorëzojë në Kuvend. Zëdhënësja e Qeverisë, Maria Miteva dje në deklaratë për mediat tha se me propozimin për shkarkimin e Kocevskit nga funksioni, Qeveria e vazhdon procedurën e cila sipas kufizimeve ligjore ishte ndërprerë përkohësisht gjatë periudhës së zgjedhjeve.
“Arsyet për këtë nismë janë të njohura publikisht dhe Qeveria i ka shpjeguar ato në mënyrë të përsëritur, të vazhdueshme, transparente dhe në interes të mbrojtjes së integritetit dhe llogaridhënies institucionale. Qëllimi ynë mbetet i qartë - forcimi i sundimit të ligjit dhe sigurimi i funksionimit të qetë të organeve të zbatimit të ligjit në shërbim të qytetarëve”, tha Miteva. fc/
Foto: MIA