Eurodeputetët kërkojnë hetim për konstatimet se Hamasi ka pasur qasje në mjetet e BE-së të paguara për OJQ-të
- – Një grup i deputetëve evropianë kërkuan që të hetohen konstatimet se lëvizja islamike palestineze Hamas, të cilën BE e vlerëson si grup terrorist, ka bashkëpunuar me organizata joqeveritare të cilat punojnë në Rripin e Gazës, në mesin e të cilave edhe disa që janë financuar nga mjetet e Unionit.
Bruksel, 8 dhjetor 2025 (MIA) – Një grup i deputetëve evropianë kërkuan që të hetohen konstatimet se lëvizja islamike palestineze Hamas, të cilën BE e vlerëson si grup terrorist, ka bashkëpunuar me organizata joqeveritare të cilat punojnë në Rripin e Gazës, në mesin e të cilave edhe disa që janë financuar nga mjetet e Unionit.
Eurodeputeti holandez Sander Smit nga radhët e Partisë Evropiane Popullore (EPP) ka dërguar pyetje formale në Komisionin Evropian për atë çfarë masash ka ndërmarrë ajo për hulumtim të konstatimeve të tilla mediatike.
"A ka ndërmend Komisioni të pezullojë ose të rikuperojë mjetet nga organizatat joqeveritare që nuk i respektojnë rregulloret?" theksoi Smith në kërkesën, e cila u nënshkrua nga dhjetëra eurodeputetë nga PPE dhe nga grupi i Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë (ECR).
Gjithashtu, 17 deputetët evropianë nga grupe të ndryshme parlamentare i dërguan letër kryetares së Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, në të cilën pyesin nëse KE-ja vlerëson se mjetet e BE-së ndoshta “ishin kompromentuar”.
“Nëse konfirmohen, këto konstatime ngrenë pyetje serioze në lidhje me pajtueshmërinë e organizatave të financuara nga BE-ja me rregullat strikte të Unionit, të cilat ndalojnë çdo formë bashkëpunimi me ose infiltrimi në një grup terrorist”, shkruan eurodeputetët në letër, duke kërkuar “përgjigje të detajuar”.
Javën e kaluar ishin publikuar informacione mediatike në bazë të dokumenteve të zbuluara se kinse Hamasi i ndjek organizatat joqeveritare ndërkombëtare të cilët veprojnë në Rripin e Gazës dhe kërkon mënyra për bashkëpunim me to. Sipas konstatimeve të njëjta, disa nga këto organizata ishin financuar drejtpërdrejtë nga BE-ja.
Bëhet fjalë për dokumente të Hamasit, të datuara ndërmjet vitit 2018 dhe 2022, të cilat ishin gjetur nga ana e forcave izraelite në Rripin e Gazës.
Në dokumente theksohet se Departamenti për Siguri të Brendshme në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Hamasit, i ka kontrolluar dhe miratuar projektet të cilat i kanë zbatuar organizatat joqeveritare në Rripin e Gazës.
Analiza e dokumenteve të cilën e ka kryer rrjetit hulumtues joqeveritar Monitor me seli në Jerusalem, tregon se Hamasi ka shfrytëzuar banorë lokalë në Gazë, të cilët i ka quajtur “garantues”, për kontakt me organizatat joqeveritare të cilat ishin aktivë në Rrip.
Që nga viti 2019, BE-ja u ka kërkuar të gjithë përfituesve të granteve të saj të sigurohen që “asnjë nënkontraktor, pjesëmarrës në punëtori ose kurse trajnimi, ose marrës i mbështetjes financiare” nuk i nënshtrohet sanksioneve të BE-së. Këto rregulla vlejnë edhe për grupet që BE-ja i konsideron organizata terroriste, siç është Hamasi. Nëse organizatat nuk i përmbahen rregullave të BE-së, ato nuk mund të marrin më mjete të BE-së. fc/
Foto: Arkivi i MIA-s