Eurobarometri: Evropianët shohin përfitime nga anëtarësimi i vendeve të tyre në BE
- Pothuaj tre të katërtat nga qytetarët e BE-së vlerësojnë se vendi i tyre ka pasur dobi nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian, e në të njëjtën kohë përkrahja për euron dhe për mbrojtjen dhe sigurinë e përbashkët evropiane është në nivelet më të larta deri tani, tregojnë rezultatet nga hulumtimi më i ri i Eurobarometrit "Vjeshta 2025".
Bruksel, 12 dhjetor 2025 (MIA) - Pothuaj tre të katërtat nga qytetarët e BE-së vlerësojnë se vendi i tyre ka pasur dobi nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian, e në të njëjtën kohë përkrahja për euron dhe për mbrojtjen dhe sigurinë e përbashkët evropiane është në nivelet më të larta deri tani, tregojnë rezultatet nga hulumtimi më i ri i Eurobarometrit "Vjeshta 2025".
Sipas këtyre rezultateve, 74 për qind nga evropianët kanë deklaruar se vendi i tyre ka pasur dobi nga anëtarësimi në BE, 21 për qind janë të qëndrimit se nuk kanë pasur dobi, ndërsa pesë për qind nuk kanë mendim.
Nga ana tjetër, besim në BE kanë vetëm 48 për qind nga të anketuarit, 45 për qind nuk i besojnë, ndërsa shtatë për qind nuk janë prononcuar.
Mendim të plotë pozitiv për BE-në kanë 42 për qind nga të anketuarit, mendim të plotë negativ kanë 19 për qind, 38 për qind kanë pasur mendim neutral, ndërsa një për qind nuk kanë kurrfarë mendimi.
Megjithatë, 59 për qind nga qytetarët evropianë janë optimistë për të ardhmen e BE-së, 38 për qind janë pesimistë, ndërsa vetëm tre për qind nuk kanë mendim për perspektivën e ardhshme të bllokut.
Madje 73 për qind nga të anketuarit deklaruan se ndjehen si qytetarë të BE-së.
Mbi dy të tretat e të anketuarve ose 67 për qind pajtohen se Bashkimi Evropian është vend i stabilitetit në një botë problematike, me ç'rast 83 për qind besojnë se BE-ja duhet t'i diversifikojë marrëdhëniet tregtare në nivel global, ndërsa 79 për qind se nevojitet një politikë e përbashkët në mbroijtje dhe siguri mes vendeve anëtare.
Kur bëhet fjalë për prioritetet në buxhetin e BE-së, 42 për qind nga qytetarët do të dëshironin më së shumti mjete të harxhohen për punësime, mbrojtje sociale dhe shëndetin publik, 36 për qind për arsim, rini, kulturë dhe mediume, ndërsa 35 për qind për mbrojtje dhe siguri.
Hulumtimi regjistron edhe përkrahje rekorde për euron, e cila arriti 74 për qind në të gjitha vendet e përfshira me anketën, ndërsa 82 për qind në shtetet në Eurozonë.
Në pyetjen se cilat janë sfidat kryesore me të cilat po ballafaqohet BE-ja, 26 për qind u prononcuan për pushtimin rus në Ukrainë, 20 për qind për migrimin, 19 për qind e kanë cekur situatën ndërkombëtare, ndërsa 18 për qind e theksuan përforcimin e sigurisë dhe mbrojtjes.
Gjithsej 77 për qind nga evropianët vlerësojnë se pushtimi rus ndaj Ukrainës është kërcënim për sigurinë e BE-së.
Madje 81 për qind e të anketuarve pajtohen me qëndrimin se BE-ja duhet të pranojë njerëz që ikin nga lufta në Ukrainë, ndërsa 77 për qind mbështesin ofrimin e ndihmës financiare dhe humanitare për vendin. Gjithsej prej 73 për qind e të anketuarve i mbështesin sanksionet e vendosura ndaj Rusisë dhe 57 për qind pajtohen me përdorimin e fondeve evropiane për të blerë dhe furnizuar pajisje ushtarake për Ukrainën. Ndarja e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE për Ukrainën mbështetet nga 59 për qind e të anketuarve.
Anketa e Eurobarometrit "Vjeshtë 2025" u zhvillua mes 9 tetorit dhe 5 nëntorit në të gjitha 27 shtetet anëtare, me ç'rast gjithsej janë anketuar 26.445 qytetarë të BE-së. Intervistat u zhvilluan edhe në nëntë vende kandidate dhe kandidate potenciale për anëtarësim në BE, të gjitha përveç Ukrainës, si dhe në Britaninë e Madhe. bsh/
Foto: Printskrin