• сабота, 22 февруари 2025

Euroambasadori Rokas e vizitoi Komunën e Kumanovës

Euroambasadori Rokas e vizitoi Komunën e Kumanovës

Kumanovë, 23 janar 2025 (MIA) - Euroambasadori Mihalis Rokas sot është takuar me kryetarin e Komunës së Kumanovës dhe me anëtarët e Këshillit. Aktiviteti është pjesë e serisë së vizitave komunale, përmes të cilave qytetarët dhe institucionet kanë mundësi të njoftohen me përfitimet e procesit të aderimit në Bashkimin Evropian.

Rokas në deklaratën për media potencoi se kjo është vizita e tij e parë në Kumanovë dhe e theksoi debatin e mirë me këshilltarët. Vizitën, siç theksoi ai, e ka shfrytëzuar që t'i dëgjojë mendimet e faktorëve të ndryshëm në qytet. Për Kumanovën tha se ndodhet në pozicion strategjik në mes të korridoreve 8 dhe 10 dhe u bëri thirrje autoriteteve lokale që së bashku me BE-në dhe me shtetin të punojnë në përshpejtimin e reformave.

"Duke pasur parasysh se Bashkimi Evropian ka realizuar dhe po zbaton një numër të madh projektesh që kanë të bëjnë me fushat kyçe për zhvillimin e Kumanovës, të cilat kanë të bëjnë me trajtimin e ujërave të zeza, me përmirësimin e cilësisë së ajrit, megjithatë ka mundësi të tjera që BE-ja i financon që të mund të zbatohen në komunën tuaj. Dhe këtu, natyrisht, të mos harrojmë rëndësinë strategjike, pozitën e Komunës së Kumanovës në mes të korridoreve 8 dhe 10, që janë me rëndësi strategjike ekonomike, natyrisht edhe për BE-në, kështu që mundësitë janë këtu. Gjithashtu, nëse i shtojmë gjithë kësaj se ka një vrull të madh që lidhet me zgjerimin e BE-së, mendoj se edhe si vend edhe si komunë, ky momentum që ekziston në kontekstin e zgjerimit të BE-së duhet të kapet pikërisht për këtë. Më lejoni të ritheksoj edhe një herë se duhet të punojmë të gjithë së bashku krah për krah, qytetarët, ne, BE-ja, administrata lokale, kryetari i komunës, të gjithë me synimin për të përshpejtuar zbatimin e reformave që duhen përfunduar në këtë vend”, tha Rokas.

Kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski tha se e ka informuar euroambasadorin për gjendjen në Kumanovë, për zhvillimin e qytetit, për zonën industriale, për bashkëjetesën në këtë komunë shumetnike. Dimitrievski theksoi se kënaqësi e veçantë është që me nismë të ambasadorit zbatohet takimi në Kumanovë. Ai shtoi se në historinë e Kumanovës, BE-ja është donatori më i madh.  

Përveç takimit me kryetarin dhe me këshilltarët, Rokas do të realizojë takim edhe me përfaqësues të organizatave joqeveritare, si dhe me të rinjt dhe me qytetarët. mb/

Foto: MIA

Остани поврзан