• четврток, 30 јануари 2025

ESHR: Dobësitë në menaxhimin e shërbimeve shëndetësore dhe medikamenteve krijojnë sfida financiare dhe operative në Klinikën e Dermatologjisë

ESHR: Dobësitë në menaxhimin e shërbimeve shëndetësore dhe medikamenteve krijojnë sfida financiare dhe operative në Klinikën e Dermatologjisë

Shkup, 30 janar 2025 (MIA) - Dobësi në menaxhim me medikamentet për sëmundje të rralla, menaxhim financiar dhe mungesë të efikasitetit në realizimin e shërbimeve shëndetësore të kontraktuara janë konstatuar me revizionin e Entit Shtetëror për Revizion (ESHR) në ISHP-së Klinika Universitare për Dermatologji.

"Është shprehur një mendim i pavolitshëm në lidhje me vërtetësinë dhe objektivitetin e raporteve financiare dhe përputhshmërinë e transaksioneve financiare me rregulloret ligjore përkatëse për vitin 2023 për llogarinë e mjeteve të fondit 737, ndërsa  për llogarinë për të ardhura personale 531 është shprehur mendim pa rezervë në lidhje me vërtetësinë dhe objektivitetin e raporteve financiare dhe mendim me rezervë për përputhshmërinë e transaksioneve financiare me rregulloret ligjore përkatëse për vitin 2023", qëndron në kumtesë. 

Janë konfirmuar disa dobësi lidhur me menaxhimin me medikamentet për sëmundje të rralla në Klinikë. Medikamentet e nevojshme nga furnitorët përmes Programit për Sëmundje të Rralla i furnizon dhe porosit Ministria e Shëndetësisë, ku është krijuar një regjistër elektronik për evidentimin e tyre. Është konstatuar se nuk ka evidencë kontabël të medikamenteve të marra dhe të konsumuara për sëmundje të rralla dhe nuk është bërë regjistrim për to. Gjatë vitit 2023 janë pranuar medikamente në vlerë prej 37.434 mijë denarë, ndërsa në evidencën e brendshme manuale të klinikës janë nxjerrë medikamente në vlerë prej 27.394 mijë denarë, që është për 8.843 mijë denarë më pak se ato të regjistruara në regjistër.

 Gjatë revizionit është bërë regjistrim dhe janë kërkuar të dhëna nga pacientët për llojin dhe sasinë e medikamenteve që kanë marrë nga Klinika, por për shkak të natyrës së sëmundjes nuk i kanë përdorur. Në këtë rast është konstatuar se pacientët kanë barna në vlerë prej 31.748 mijë denarë, prej të cilave 39 për qind janë medikamente me afat të skaduar.

Fondi ka aprovuar kompenzim të kushtëzuar për vitin 2023 në Klinikë për furnizim të aparateve dhe medikamenteve specifike në vlerë prej 13.000 mijë denarë. Është konstatuar se nevoja për këtë furnizim nuk është rezultat i propozimeve të paraqitura nga kolegjumi i ekspertëve. Në këtë rast janë furnizuar dy laserë në vlerë prej 9.995 mijë denarë, të cilët deri në datën e kontrollit nuk ishin vënë në përdorim. Gjithashtu, Ministria nuk ka marrë miratim për çmimoren për kryerjen e shërbimeve shtesë me to, aq më tepër që shumica e shërbimeve që mund të kryhen me këto aparate janë të natyrës estetike dhe kozmetike dhe nuk janë të mbuluara me sigurim të detyrueshëm shëndetësor.

 Në kuadër të revizionit të kryer, është theksuar një çështje kyçe lidhur me mospërmbushjen e obligimeve ligjore për të siguruar blerje të mirëfilltë dhe efikase të shërbimeve shëndetësore, siç parashihet në Ligjin për sigurim shëndetësor.

"Sipas nenit 69 të Ligjit për Sigurim Shëndetësor, Fondi për Sigurim Shëndetësor është i detyruar të sigurojë mjete për blerjen e shërbimeve shëndetësore nga institucionet publike shëndetësore (ISHP), me kompensim të dakorduar të përcaktuar sipas kritereve të Vendimit për përcaktimin e buxhetit të institucioneve shëndetësore. Fondi gjithashtu është përgjegjës për sigurimin e mjeteve për funksionimin e plotë të atyre ISHP-ve që nuk mund të realizojnë një vëllim të mjaftueshëm të shërbimeve brenda kompensimit të dakorduar, ku përfshihet edhe Klinika", thuhet në kumtesë.

 Në vitin 2023 vëllimi i shërbimeve është ulur krahasuar me vitin 2022, ndërsa kompensimi i kontraktuar është rritur.

 

 

Të dhënat nga sistemi "Termini im" tregojnë se shërbimet e Klinikës i shfrytëzojnë një numër më i vogël i pacientëve dhe janë realizuar dukshëm më pak shërbime sesa terminet e planifikuara dhe kapacitetet në dispozicion.

 

 

"Në pjesën për çështje të tjera është raportuar për Sistemin Kombëtar për Punë Materiale-Financiare dhe Kontabilitetit dhe Sistemin Qendror për Regjistrim të Orarit të Punës në Ministri, të cilat nuk janë krijuar plotësisht, si dhe për kërkesat e papaguara nga Ministria e Shëndetësisë për shërbimet e ofruara shëndetësore në vlerë prej 1.319 mijë denarë, arkëtimi i të cilave është i pasigurt", theksohet në kumtesën e ESHR-së.

Foto: Printskrin dhe faqja e internetit të Univeristetit Klinik për Dermatologji

 

Остани поврзан