• петок, 21 февруари 2025

Erdogan: Vizita historike e presidentit sirian Al Shara shënon fillim në "miqësi të përhershme"

Erdogan: Vizita historike e presidentit sirian Al Shara shënon fillim në

Ankara, 4 shkurt 2025 (MIA) - Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, deklaroi se me presidentin e përkohshëm sirian, Ahmed al-Shara, ka biseduar në Ankara për hapat që duhet të ndërmerren ndaj militantëve kurdë në verilindje të Sirisë.

Duke folur në një konferencë për shtyp në Ankara së bashku me Al-Sharan, Erdogani tha se Turqia është e gatshme që t’i ndihmojë sundimtarët e rinj të Sirisë në betejën kundër grupit ekstremist, Shteti Islamik dhe militantëve kurdë.

Udhëheqësi turk theksoi po ashtu se beson që kthimi vullnetar i emigrantëve sirianë, që gjenden në Turqi, do të përshpejtohet sapo Siria të stabilizohet më shumë.

Erdogani shtoi se Turqia do të vazhdojë të kërkojë që të hiqen sanksionet ndërkombëtare ndaj Sirisë, që ishin vendosur gjatë sundimit të ish-presidentit Bashar al-Asad, duke shtuar se është e rëndësishme që shtetet arabe dhe myslimane të mbështesin qeverinë në Damask në mënyrë financiare dhe në forma të tjera gjatë periudhës së tranzicionit.

Udhëheqësi i rebelëve të Sirisë që rrëzuan presidentin Bashar al-Asad nëntorin e vitit të kaluar u emërua në janar të këtij viti president i përkohshëm sirian.

Ahmad Al-Shara, dikur i lidhur me Al-Kaedën është kreu i grupit, Hajat Tahrir al-Sham (HTS), organizatë e shpallur terroriste nga SHBA-ja.

Al-Shara, gjatë konferencës të përbashkët për shtyp me Erdoganin, tha se qeveria e tij kërkon "partneritet strategjik" me Turqinë dhe e ftoi udhëheqësin turk që ta vizitojë Sirinë, teksa raportet mes dy shteteve vazhdojnë të përmirësohen.

"Ne po punojmë që të ndërtojmë një partneritet strategjik me Turqinë për të luftuar kërcënimet e sigurisë në rajon, në mënyrë që të arrihet një siguri e përhershme dhe stabilitet në Siri dhe Turqi”, tha Al Shara.

Ankaraja kishte shkëputur raportet me Damaskun në vitin 2011, pas nisjes së luftës civile në Siri. Gjatë luftës, Turqia ka mbështetur kryengritësit që kërkonin rrëzimin nga pushteti të Asadit. mb/

Foto: MIA

 

Остани поврзан